Daçiq thotë se një ish-pjesëtar i UÇK’së është arrestuar në mëngjes në kufirin Serbi-Hungari “për krime ndaj serbëve”
Ministria e Brendshme e Serbisë ka njoftuar arrestimin e një ish-pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në pikën kufitare të Horgoshit, mes Serbisë dhe Hungarisë. Sipas raportimeve të gazetës serbe “Danas”, arrestimi është kryer për akuzat e krimeve të luftës ndaj serbëve në Prishtinë.
Ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq, deklaroi se i arrestuari, identifikuar me inicialet M.I., dyshohet për përfshirje në rrëmbimin dhe keqtrajtimin e një çifti serb në vitin 1999. Sipas Daçiqit, viktimat janë dërguar me forcë në një burg të improvizuar, ku kanë pësuar keqtrajtime fizike dhe psikologjike.
Prokuroria Publike për Krime Lufte ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë, pas së cilës do të ngrihen akuzat zyrtare. Daçiq theksoi se për shkak të hetimeve në vazhdim nuk mund të jepen më shumë detaje, për të mos rrezikuar procesin hetimor.
