Anglia në alarm, Rashford rrezikon sfidën ndaj Ganës

Kombëtarja e Anglisë mund të paraqitet pa Marcus Rashfordin në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve të Kupës së Botës 2026 ndaj Ganës, pasi sulmuesi raportohet se ka pësuar një dëmtim të lehtë muskulor.

“Tre Luanët” e nisën me fitore aventurën në Botëror, duke mposhtur Kroacinë me rezultat 4:2. Në atë sfidë shënuan Harry Kane, Jude Bellingham dhe Rashford, i cili vulosi suksesin e anglezëve me një gol në minutat e fundit pas asistimit të Bukayo Sakas.

Megjithatë, sipas raportimeve nga mediat angleze, Rashford nuk mori pjesë në ndeshjen stërvitore që Anglia zhvilloi ndaj Sporting Kansas City, duel që skuadra e Thomas Tuchel e fitoi me rezultat 5:1.

Sulmuesi i Manchester United thuhet se ka ndier shtrëngim muskulor pas përballjes me Kroacinë, duke ngritur dyshime për gatishmërinë e tij për ndeshjen e së martës ndaj Ganës në Boston.

Problemet e Rashfordit janë vetëm një pjesë e shqetësimeve që po përballon stafi teknik anglez. Kapiteni Harry Kane ka pasur probleme me ngërçet muskulore, ndërsa Bukayo Saka është duke menaxhuar një shqetësim në tendinën e Akilit.

Po ashtu, mbrojtësi Tino Livramento është detyruar të largohet nga grumbullimi për shkak të dëmtimit, ndërsa në skuadër është afruar Trevoh Chalobah si zëvendësues.

Anglia konsiderohet favorite për të fituar ndaj Ganës dhe Panamasë në dy ndeshjet e mbetura të Grupit L, por situata me dëmtimet mund t’i komplikojë planet e Thomas Tuchel në vazhdim të turneut.

Skuadra angleze do të vazhdojë përgatitjet në Kansas City gjatë fundjavës, para se të udhëtojë drejt Bostonit, ku pritet që Tuchel të japë më shumë detaje për gjendjen e lojtarëve të dëmtuar dhe për përbërjen e ekipit para sfidës me Ganën.

Go to TOP