Daçiq: Ngritja e gatishmërisë luftarake, s’do të thotë ndërhyrje në Kosovë

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë sot se Serbia me ngritjen e nivelit të gatishmërisë luftarake nuk po përgatitet për ndërhyrje në Kosovë, por që të jetë e gatshme “për të gjithë skenarët”.

“Ne sigurisht që do ta mbrojmë popullin tonë, shpresojmë që të mos vijë deri te nevoja për ndërhyrje ushtarake”, tha Daçiq.

Duke komentuar përshkallëzimin e fundit të situatës në veri të Kosovës të premten, Daçiqi tha për Radiotelevizionin Publik të Serbisë se mund të jetë “ndoshta një nga situatat më të rrezikshme”.

“Ata sulmojnë atë që është baza e mbijetesës së popullit serb në veri të Kosovës, që është pushteti lokal që duhet ta mbajmë. Aty nuk ka popullsi të përzier, që të thoni se aty ka shqiptarë. Trembëdhjetë serbë votuan në të ashtuquajturat zgjedhjet. Tani keni disa këshilltarë dhe kryetarë komunash të rinj apo kryebashkiakë dhe që në fillim kemi thënë se kjo lëvizje mund të shkaktojë konflikte të mëdha dhe e kemi paralajmëruar bashkësinë ndërkombëtare”, tha Daçiqi.

Ai ka theksuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdimisht po merret me krijimin e krizave dhe se pozita e popullit serb në Kosovë po “përkeqësohet gjithnjë e më shumë”.

“Ne nuk jemi për konflikte, jemi për zgjidhje paqësore të të gjitha çështjeve, por të gjithë duhet ta dinë se e gjithë Serbia qëndron prapa popullit tonë në Kosovë, prandaj presidenti serb Aleksandar Vuçiq urdhëroi që të ngrihet niveli i gatishmërisë luftarake, jo sepse po përgatitemi të ndërhyjmë, por të jemi të gatshëm për të gjithë skenarët”, tha Daçiqi për transmetuesin publik serb.

Go to TOP