Daçiq i zemëruar ndaj Dora Bakoyannis, shkak raporti për Kosovën në KiE

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, është shfaqur i zemëruar ndaj raportueses greke Dora Bakoyannis, e cila dje në Komitetin Politik të Asamblesë Parlamentare e paraqiti propozimin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ai ka thënë se ‘nuk është në rregull’ që Bakoyannis e paraqiti këtë propozim dhe i cili u miratua me shumicë votash në këtë komitet, ngase sipas tij ‘Serbia ka qenë shumë korrekte ndaj Greqisë”.

“Nuk ka takim në të cilin Greqia insiston që ne të respektojmë integritetin dhe sovranitetin territorial të saj në tokë, det dhe qiell. Bakoyannis nuk është kushdo, ajo është nga familja Mitsotakis, ajo është motra e kryeministrit (Kyriakos Mitsotakis, v.j.)”, ka theksuar Daçiq për mediat serbe.

Tutje Daçiq deklaroi se vendimi i Komiteti Politik të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për pranimin e rekomandimit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës është “i turpshëm dhe skandaloz” dhe sipas tij “shkatërron të gjitha parimet mbi të cilat mbështetet Këshilli i Evropës”.

Sipas Daçiq për herë të parë është propozuar pranimi i një vendi që nuk është anëtar i Kombeve të Bashkuara.

Go to TOP