Costa: Dënimi i pushtimit rus të Ukrainës dhe dialogu me Kosovën janë kyçe për rrugën evropiane të Serbisë

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa ka filluar turneun e parë të vizitave në Ballkan që prej marrjes së detyrës në krye të këtij institucioni. Ndalesën e parë ai e pati në Beograd, ku u takua me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Ai gjatë kësaj vizite ka përçuar mesazhin se janë në favor të zgjerimit të BE-së.

“Zgjerimi bazohet në ndërtimin e besimit dhe unë e di që njerëzit në rajon kanë humbur besimin në këtë proces. Kam ardhur sot për t’ju siguruar për përfshirjen dhe angazhimin tim personal ndaj zgjerimit. E ardhmja e Serbisë është në BE, e ardhmja nuk pret, topi tani është në fushën tuaj”, tha Costa në konferencën e përbashkët me Vuçiqin.

Anëtarësimi, siç tha ai, është një proces i bazuar në meritë dhe është plotësisht e qartë se çfarë duhet bërë hapi tjetër – liria e medias, shtypja e korrupsionit dhe përmirësimi i ligjit zgjedhor.

Costa deklaroi se nuk është vetëm çështje përmbushjeje e detyrimeve, por edhe se qytetarët do të përfitojnë prej saj. Po ashtu theksoi se dialogu midis Serbisë dhe Kosovës është i thelbësor, ashtu si edhe harmonizimi i politikës së jashtme me politikën e BE-së, dhe një dënim i qartë i pushtimit brutal rus të Ukrainës.

Duke komentuar nisjen e Vuçiqit për në Moskë për të festuar Ditën e Fitores, pavarësisht mesazheve nga Brukseli se ai nuk duhet ta bënte këtë, Costa tha se presidenti serb i shpjegoi atij se ai shkoi për të festuar ngjarje nga e kaluara.

“Por në të tashmen, Serbia është plotësisht e përkushtuar ndaj procesit të pranimit në BE dhe e di se për këtë duhet të kemi harmonizim të plotë në politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë. Ne nuk mund ta ndryshojmë historinë – e kuptoj plotësisht këtë – që Serbia feston çlirimin, por nuk mund ta festojmë atë pa dënuar pushtimin e sotëm të një vendi tjetër”, tha presidenti i Këshillit Evropian.

E presidenti serb tha se folën për “çështje të rëndësishme, por jo domosdoshmërish të lehta”.

Antonio Costa nesër do të vijë për vizitë në Prishtinë.


Go to TOP