Çmimi i Lartë i Manifestimit “Ora e Maleve” iu nda don Fran Sopit dhe mulla Xhevat Kryeziut

Shkruan: Lekë MRIJAJ

Sot, Rozhaja është bërë sërish vatër e bashkimit kulturor, historik dhe atdhetar, duke mikpritur dhjetëra krijues, veprimtarë, studiues dhe dashamirë të kulturës shqiptare në edicionin e pesëmbëdhjetë të manifestimit tradicional gjithëkombëtar “Ora e Maleve”.

Kjo ngjarje kulturore e cila tashmë është shndërruar në një institucion të rëndësishëm të jetës shpirtërore shqiptare, u mbajt në ambientet e Shtëpisë së Kulturës në Rozhajë, duke nisur nga ora 13:00, nën përkujdesjen e palodhur të organizatorit dhe kryesuesit të saj, prof. Ali Dacit nga Rozhaja.

Manifestimi i këtij viti iu kushtua kujtimit të 26 dëshmorëve të rënë në fshatin Husaj gjatë luftës së fundit – bij të kësaj toke që flijuan gjithçka për lirinë dhe dinjitetin kombëtar. “Ora e Maleve” u shndërrua kështu në një tribunë të fuqishme të historisë dhe shpirtit shqiptar, duke sjellë një program të pasur përkujtimor, artistik dhe kulturor.

Në këtë tryezë të fjalës dhe kujtesës më në krye me prof. Ali Dacin, u bashkuan poetë, shkrimtarë, studiues dhe përfaqësues të shoqatave kulturore nga të gjitha trojet shqiptare – nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Lugina e Preshevës e deri te mërgata.

Hapja solemne e këtij manifestimi nisi me një minutë heshtje në nderim të dëshmorëve shqiptarë të rënë për lirinë e Kosovës, ndërsa fjalën hyrëse e mbajti z. Faik Nika, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Mal të Zi. Në vijim, me një përshëndetje të veçantë, është paraqitur edhe ambasadorja e Shqipërisë në Mal të Zi, znj. Zhaklina Peto.

Programi përfshiu promovime librash, dokumentar filmi, recitime poetike të ndjera kushtuar dëshmorëve, referime historike, ekspozita dokumentare si dhe interpretime muzikore që pasqyronin shpirtin e maleve dhe frymën e qëndresës. Çdo varg e çdo fjalë mbartnin dhembjen e humbjes, por edhe krenarinë e përbashkët të qëndresës shqiptare.

Ky manifestim nuk ishte vetëm një përkujtim për të rënët, por edhe një platformë për unitetin kulturor dhe mbarëkombëtar, ku u dëshmua fuqishëm se letërsia, historia dhe arti janë themelet mbi të cilat ndërtohet ndërgjegjja kombëtare.

Në këtë kuadër, për kontributin e shquar në çështjen kombëtare, humanizëm, solidaritet dhe ndërmjetësim në faljen e gjaqeve, u ndanë çmime të larta nga organizatorët e manifestimit. Nën patronazhin e ambasadores së Shqipërisë, znj. Zhaklina Peto, me këtë vlerësim të lartë u nderuan: kleriku i Kishës Katolike “Shën Katarina” në Pejë, veprimtari don Fran Sopi, imami i xhamisë së Bubavecit të Malishevës, veprimtari, mulla Xhevat Kryeziu, prof. Shyqri Galica, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, z. Genc Tetaj, z. Kristaq Janushi, si dhe post mortum prof. Vera (Ukaj) Gojani etj.

Manifestimi vijoi me interpretime poetike dhe artistike nga krijues nga Kosova, Shqipëria dhe viset e tjera shqiptare, përfshirë këngë dhe valle nga ansambli artistik i Deçanit, të cilat pasuruan atmosferën shpirtërore dhe e bënë edhe më të gjallë këtë ngjarje me dimension gjithëkombëtar.

“Ora e Maleve” u mbyll me një thirrje të përbashkët për bashkëpunim më të thellë kulturor, për ruajtjen e trashëgimisë dhe për forcimin e identitetit kombëtar. Rozhaja, përmes kësaj feste të kujtesës dhe krenarisë, foli me zërin e një kombi që nuk harron, që kujton me nder dhe ecën përpara me dinjitet.


Go to TOP