Çka po ndodh me rritjen e çmimeve?

Shkruan: Naza KRASNIQI
Kosova po përballet me rritjen e çmimeve te çdo artikulli, që po ndikon dukshëm në jetesën e qytetarëve. Rritja e çmimit të artikujve ushqimore konkretisht të atyre elementare po prek drejtpërdrejt ekzistencën e qytetarëve, edhe ashtu të varfër në Kosovë.

Me paraqitjen e Covid 19 kanë filluar të shfaqen tendencat për rritje të çmimeve, por fatkeqësisht kjo ka ndodh sidomos në biznese, që kanë punuar pa ndërprerë edhe gjatë masave ekstreme ndaj Covidit, pa humbur asnjë sekondë orarin e punës . Kjo ka ndodhur në sektorin e marketeve ushqimore dhe në atë të farmacive. Përkundër asaj që Qeveria Kurti 1, qeveria e Avdulla Hotit dhe Qeveria Kurti 2 i kanë mbështetë këto sektore me mbështetje financiare, edhe pse këto dy sektorë nuk kanë pësuar humbje, përkundrazi kanë dalë fitimprurëse në vitin fiskal, këto vazhdimisht po vazhdojnë me rritjen e çmimeve të artikujve elementar. Sa për mendimin tim ka qenë gabim, që janë mbështetë këto biznese, që asnjë sekondë nuk janë mbyllë nga Covid 19, dhe vazhdimisht e kanë shfrytëzuar situatën për rritje të çmimeve.

Sot shporta e qytetarit ka filluar të varfërohet masivisht me rritjen e çmimeve, kurse pagat kanë ngelur të njëjtat, përmendi vetëm një artikull, si p.sh. një litër vaj para pandemisë ka kushtuar 0.95 deri 1.05 cent ndërsa sot 1.45 deri 1.55 cent minimumi, e shumë artikuj tjerë. Pajtohem se jemi në tregun e lirë, por kjo nuk do thotë që jemi në anarki, qeveria nuk duhet qëndrojë duke shikuar se si rriten çmimet e varfërohet jeta qytetarëve, por  duhet të fillojë me marrjen e veprimit në këtë drejtim si me rritjen e pagës mesatare, ose të ndërmerr masa në uljen e çmimeve të artikujve ushqimore.

Për ndalimin e rritjes së çmimeve të artikujve ushqimore që e varfëron shportën e qytetarëve, qeveria duhet të paraqesë një pako dhe të merr masa në stimulimin e të gjithë bizneseve, të cilat NUK e rrisin çmimin ose ndonjë veprim tjetër që nuk e rrezikon jetën e qytetarëve nga varfëria ekstreme.

Në Kosovën e pasluftës nuk ka ndodhur asnjëherë, që qytetarët të reagojnë  fuqishëm për çështjet elementare si për rrymë, ujë, dhe shërbime tjera dhe qeveritë e pas luftës të deritanishme vazhdimisht kanë kriju një komoditet të tepruar përballë kërkesave të qytetarëve. Andaj të ndalohet rritje e çmimeve të artikujve ushqimorë dhe proklamimi i rrejshëm gjoja për zbritje të çmimeve dhe të veprohet në interes të përgjithshëm të qytetarëve.

Go to TOP