Çka po ndodh me Feronikelin prej kur kaloi në duart e oligarkut nga Shqipëria?
Që nga kalimi i pronës së gjigantit kosovar në duart e oligarkut nga Shqipëria, Samir Mane nga një fabrikë lidere të metalurgjisë me potencial, përfundoi me largimin e të gjithë punëtorëve nga puna. Cilat ishin premtimet? Si mund të jenë ndër pronarët e ri edhe ata që e falimentuan një here Feronikelin? Kush ia fali borxhin prej 7.4 milion euro në Administratën Tatimore dhe ku ka mbetur kjo dosje në Prokurorinë speciale?
Në vitin 2018, Feronikeli kaloi në pronësi të “Group Balfin”, e cila është njëra nga pronarët e kompanisë “NKL Limited” që mori pronësinë e gjigantit metalurgjik të Kosovës. Atëbotë kompania e oligarkut nga Shqipëria, Samir Mane kishte blerë shumicën e aksioneve të Newco Ferronikel.
Prej atëherë fjalët kanë qenë të mëdha nga pronari i ri, por realiteti ka lënë shumë për të dëshiruar.
Cka ka ndodhur prej atëherë me Feronikelin apo investimin më të madh nga Shqipëria në Kosovë?
“Balfin do të investojë menjëherë fonde të mjaftueshme për ta rivënë në punë uzinën dhe do ta rikthejë prodhimin me kapacitet të plotë brenda Gushtit, ka rënë dakord që të paguajë borxhet ekzistuese të kompanisë ndaj furnitorëve sa më shpejtë të jetë e mundur si dhe do të paguajë pagat e pashlyera të punonjësve”, deklaroheshin nga pronarët e ri para katër vitesh, por nga këto nuk dihet cila është realizuar.
Gjatë vizitës së vet te Feronikeli, Mane vlerësonte investimin një vendim kyq. “Ne kemi shpresa të mëdha për NewCo Ferronikelin dhe besojmë se është një investim kyq në Kosovë që ka potencial të jashtëzakonshëm. Ne dëshirojmë të falënderojmë të gjithë personat e përfshirë në bërjen e kësaj të mundshme dhe presim me kënaqësi të punojmë me një ekip të mrekullueshëm në udhëheqjen e këtij biznesi. Ne synojmë që gradualisht të zgjerojmë kapacitetin prodhues, të investojmë në zhvillimin e teknologjisë dhe të vazhdojmë të rrisim Kompaninë dhe biznesin e saj në baza të qëndrueshme “.
Pronar me Manen ata që e falimentuan një herë Feronikelin!
Kompania “NKL Limited”, e cila figuron si blerësi kryesor i Feronikel-it, është kompani me një jetë shumë të shkurtër. Sipas disa dokumenteve zyrtare të cilat i posedon Gazeta Insajderi, “NKL Limited” është themeluar më 10 mars të vitit 2018 me bazë në kryeqytetin britanik, Londër. Aktualisht në krye të saj ekzistojnë tre drejtorë aktivë pa asnjë sekretarë.
Mane, i cili u emërua më 18 korrik 2018, drejtor në “NKL Limited”, ku ndikimi i tij pritet të zgjerohet edhe më shumë në shtetin e Kosovës. Mirëpo nuk është vetëm kjo. Dy pronarët e kompanisë “NKL Limited”, Joyce Angelina Young dhe Jacques Claude Michel Nassieu Maupas, kanë qenë Anëtar Bordi të kompanisë “Cunico Resources”, kompani kjo e cila e falimentoi “Feronikelin”.
Dokumentet e siguruara nga Gazeta Insajderi tregonin që transaksioni i shitjes së “Cunico Resources”, dyshohet se është manipulativ. Kjo i bie që “Cunices Resources”, në mënyrë manipulative ia ka shitur vetes “Ferronikelin” për t’i ikur borxheve që ka krijuar duke e pasur në pronësi deri tani.
Kompania “Cunico Resource”, e cila në tetor të vitit 2007 mori nën menaxhim gjigantin metalurgjik “Feronikel” në Kosovë dyshohet për një skemë mashtrimi që kishte bërë në Maqedoni, duke dëmtuar “Feni Industries” në vlerë prej mbi 50 milionë dollarë.
Kush ia fali 7 milion euro obligime tatimore Manes në Kosovë?
Para dy vitesh, Gazeta Insajderi, kishte zbuluar një skandal të madh në ATK, që lidhet me fshirjen e borxheve të kompanisë së miliarderit nga Shqipëria. Bëhet fjalë për një borxh tatimor mbi shtatë milionë euro, që i është hequr kompanisë NewCo Ferronikeli Complex L.L.C.
Në shkurt të vitit 2020, ATK-ja ia ka fshirë gjigantit metalurgjik obligimet shtesë tatimore me të cilat ishte ngarkuar në verën e vitit 2018, bazuar në dy raporte hetuese të nxjerra nga Drejtoria e Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës (DHTI). Vendimit për ngarkimin e kompanisë me mbi shtatë milionë euro borxhe tatimore, i ka paraprirë një hetim nën dyshimin për shmangie tatimore dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike. Hetimet ishin autorizuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Afarizmi i pronarit të mëhershëm të NewCo Ferronikelit kishte zhytur ndërmarrjen në mbi 8 milionë euro borxhe tatimore. Mane, kishte marrë përsipër edhe shlyerjen e borxheve që Ferronikeli kishte ndaj palëve të treta.
Megjithatë, në vend të shlyerjes së këtij borxhi ndaj shtetit të Kosovës, kompania tashmë në pronësi të oligarkut Mane, kishte përzgjedhur një rrugë tjetër. Kishte vendosur të mos e njihte këtë borxh. Si rrjedhojë, ATK-ja ia kishte fshirë borxhin 7 milionësh. Drejtoria e Hetimeve Tatimore nisi hetimet më 31 janar të vitit 2018, ndaj NewCo Ferronikelit nën dyshimin për evazion tatimor.
Në dhjetor të vitit 2020, Prokuroria Speciale kishte konfirmuar nisjen e hetimeve për skandalin e heqjes së mbi 7 milionë euro borxhe tatimore kompanisë “NeëCo Ferronikeli Complex” L.L.C. “ATK sot ka dorëzuar kërkesën në Prokurorinë e Shtetit me numër protokolli 12-06-3983 përmes së cilës kërkon nga prokuroria që të hetoj pretendimet e gazetës Insajderi, lidhur me shkrimin e publikuar dje me datë 26.11.2020”, thuhej në njoftimin e ATK-së.
Largimi i punëtorëve nga puna
Pas kalimit te pronari i ri për një kohë të shkurtër fabrika e “Ferronikelit” ka ndërprerë punën me arsyetimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike në tregjet globale, ndonëse ka kohë që çmimet në tregun metalurgjik janë rritur shumë nga viti i kaluar. Ky vendim ka lënë pa punë mbi 800 punonjës, ndërsa kompania përfaqëson punëdhënës të madh në Kosovë dhe është përgjegjës për të paktën 1500 punëtorë të tjerë të lidhur me furnizimin e fabrikës me lëndë të parë dhe logjistikë në Kosovë dhe Shqipëri.
Debat rreth Feronikelit ka pasur edhe në Kuvendin e Kosovës, kur vitin e kaluar Ministri i Financave në Kosovë, Hekuran Murati, i tha deputetit të PDK-së se partia e tij është fajtorja kryesore për privatizimin e asetit publik, kompanisë “Ferronikeli”.
Ai u shpreh se tani që kjo kompani, tashmë private, ka ndërprerë punën nuk mund të kërkojë ndihmën e shtetit, sepse kompania nuk i ndan fitimet e saj me shtetin. “E ka mjelë fitimin pronari i ri”, ishte shprehur ndër të tjera ministri Murati.
