AKB: Kosova ka nevojë urgjente për institucione funksionale dhe partneritet të fuqishëm me SHBA-në dhe BE-në

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka vlerësuar se Kosova ka nevojë urgjente për institucione funksionale, stabilitet politik dhe partneritet të qëndrueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, si parakushte për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, rritje të investimeve dhe avancim të proceseve integruese.

Këto qëndrime u shprehën në një takim të zhvilluar në Prizren nga kryetari dhe bashkëthemeluesi i AKB-së, Agim Shahini, me bashkëthemeluesit e organizatës, ku u diskutuan zhvillimet socio-ekonomike dhe politike në Kosovë, si dhe ndikimi i trendeve globale në ekonominë dhe sigurinë e vendit.

Në takim morën pjesë bashkëthemeluesit Përparim Hoxha, Nexhat Hasani, Shpend Kallaba, Mustafë Neziri, Shemsi Shemsedin Dreshaj dhe Fadil Maxhuni, të cilët zhvilluan një debat mbi sfidat aktuale të vendit dhe nevojën për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të plota dhe funksionale.

Pjesëmarrësit u pajtuan se pa institucione stabile dhe me legjitimitet të plotë nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, investime serioze, siguri juridike për bizneset dhe përparim në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Sipas tyre, zvarritja e krijimit të institucioneve dëmton besimin e investitorëve, ngadalëson reformat dhe pengon shfrytëzimin e potencialit ekonomik të Kosovës.

Në takim u theksua gjithashtu se sukseset e Kosovës janë arritur falë sakrificës së qytetarëve dhe mbështetjes së vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë, në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si aleati strategjik i vendit, si dhe të Bashkimit Evropian dhe vendeve mike.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se biznesi ka nevojë për stabilitet institucional, siguri juridike dhe vendimmarrje të shpejtë.

“Pa institucione funksionale nuk ka ekonomi të fortë, nuk ka investime të reja dhe nuk mund të ecim me ritmin që kërkon integrimi evropian. Kosova duhet të ruajë dhe të forcojë partneritetin strategjik me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, sepse ky partneritet mbetet garancia më e madhe për zhvillimin ekonomik, demokracinë, sigurinë dhe të ardhmen euroatlantike të vendit”, deklaroi Shahini.

Bashkëthemeluesit e AKB-së ritheksuan gatishmërinë për të kontribuar me ekspertizën dhe përvojën e tyre në hartimin e politikave që nxisin zhvillimin ekonomik dhe krijimin e një klime më të favorshme për bizneset vendore dhe investitorët e huaj.

Në përfundim të takimit, Aleanca Kosovare e Bizneseve u bëri thirrje të gjitha forcave politike që, përtej dallimeve partiake, të veprojnë me përgjegjësi për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve funksionale, në interes të qytetarëve, ekonomisë dhe të ardhmes evropiane të Republikës së Kosovës.

AKB theksoi se do të vazhdojë të jetë zëri i komunitetit të biznesit dhe të kontribuojë në hartimin e politikave që promovojnë zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, mirëqenie qytetare dhe integrim të plotë në familjen evropiane. /Kosova.info/

Go to TOP