Çka bëri, shën Nëna Terezë, për ne?
Shkruan: Marjan Sebaj-SOPI
A janë me mend në kokë disa, e them shqiptarë, kur shtrojnë pyetje: Çka bëri, Nëna Terezë, për ne?!
Këta “njerëz” në shërbim të së keqes, agjenturave të huaja, as që kanë guxim ta thërrasin “Nënë” si e tërë bota e ndjenjave njerëzore, këta “shqiptarë”, meqë më sa shihet ata janë vetëm shqipfolës sepse siç duket nuk kanë asnjë pikë gjak shqiptari, flasin me aq urrejtje sa duket që e tërë jeta e tyre është shndërrua në urrejtje e të këqija.
Mirëpo, bota e civilizuar, pa intriga e gjelozi, i kuptojnë dhe shohin gjërat, i shtrojnë me arsye të shëndoshë e pa pretendime dhe qëllime të këqija, e shohin dhe dëshirojnë një botë humane, dhe për shqipfolës e sjell këtë shkrim të shkurtër rreth pyetjes së tyre se; Çka bëri Nëna Terezë për ne?
Më vije keq ta them këtë por detyrohem ta them (meqë shohim shpesh në debate televizive e radio tona, cilat bartin fajin e madh që thërrasin persona të tillë në emisionet e tyre) se pyetje të tilla e diskutime bëjnë njerëzit e ligë, njerëzit e pamoralshëm e të pandërgjegjshëm, njerëzit që nuk e donë këtë popull e as njerëzit e mëdhenj të këtij populli.
Pse e them këtë, sepse një; Nëna Terezë është bijë e një patrioti, është bijë shqiptare, është humaniste, është bamirëse, mirësinë dhe dashurinë e së cilës e ka prekur dhe shijuar çdo njeri në këtë planet, pos atyre që nuk dëshirojnë të kenë, ta njohin dhe pranojnë dashurinë. Krenohet, kombi shqiptar (pos disave), krenohet India, krenohet Amerika e Evropa, Australia, Azia e Afrika, krenohen vendet islamike ku në shumë raste e shtete Islame ndërmjetësoi vet Nëna Terezë për paqe, hyri me dashuri aty kur askush nuk dëshironte të hyj në luftë e të pajtoj kaste e fise të ndryshme të këtyre shteteve që derdhnin mes veti gjak e nga cilat konflikte dilnin me mijëra të plagosur, veja, të përdhunuara, fëmijë bonjak – të cilët i merrte nën përkujdesje kush tjetër pos Nënës tonë shqiptare./
Madje pyesim, çka bëri? Dhe asgjë po të mos kishte bërë, mjaftonte dhe mjafton vetëm ajo se; Është shqiptare! “Me gjak ishte shqiptare… Me shtetësi po ashtu shqiptare, gjuhë, kulturë, tradita e zemër bujare shqiptare.
Prandaj, duke iu falënderuar personit, personalitetit, emrit të saj, përkatësisë së saj (nëse e shikojmë anën biologjike, sepse shpirtërisht i takon botës mbarë) neve shqiptarët bërë aq miq e përkrahës në botë, Amerikën, Evropën, kudo… Na ndihmuan dhe po na kthejnë të mirat e bëra nga ana e Nënës tonë, Nënë Terezë anë e mbarë botës. Logjikisht dhe thuhet se e mira kthehet me të mirë, dhe pikërisht fryt i këtyre të mirave ishte nëna e jonë, Nënë Tereza, dhe neve po i gëzojmë ato.
Pastaj, mos të harrojmë, neve e dimë se në çdo forum botërorë Nëna Terezë lutet politikanë e burrështetas, citoj: “Ju lutem bëni diçka për popullin tim shqiptar?” A është pak kjo?!
Pastaj, në emrin e Nënës Terezë njerëzit vullnetmirë japin e tubojnë mjete e mjete për skamnorët në Kosovë e hapësirën shqiptare. Mendojeni kohën e para luftës (që shumë nga ne me qëllim e kemi harruar duket, apo jemi siç thuhet në popull; bukë përmbysë”) ku Shoqata “Nënë Terezë” mbajti e mbanë ende me qindra e mija familje në jetë, sa njerëz përmes këtij emri të shenjtë u shëruan, sa shtëpi u ndërtuan në Kosovë e gjetiu në trojet e hapësirat tona, sa fëmijë bonjak qenë dhe janë nën përkujdesje?
A pak paska bërë e po bënë edhe sot Nënë Tereza???!!!
Mjafton fakti se rreth emrit të Nënës Terezë u bashkuam dhe u solidarizuam neve shqiptarët e mbijetuam dhe mbetëm gjallë!
Kenedy pati thënë: “Mos pyet se çka bënë shteti për ty, por çka bënë ti për shtetin!” Pse nuk e pyesim vetën tonë; çka bërëm e po bëjmë neve për një institucion në veti, për një univers në veti, për Nënë Terezë para figurës dhe veprës së cilës u përkulën e përkulën i madh e i vogël, i varfër e i pasur, i sëmur e i shëndosh, burrështetas, fetar e ateist…përkulej edhe natyra para saj e emrit të saj.
Neve nuk e pranuam në shtetin e saj për varrim të së ëmës e motrës? Neve ia morëm shtëpinë? Neve flasim për te keq e mos të them dikush edhe fjalë të ndyra (veçohen disa hoxhallarë të paguar nga qarqe të ndryshme antishqiptaqre e ndjekës të tyre cilëve iu kanë shpërlarë trurin), e kur bota me admirim e kujton dhe i lutet për çdo ditë e më shumë asaj?
A nuk i paskemi borxh Nënë Terezë, po besa sa të jetojmë edhe atë madje shumë ?
Ne kemi fatin jo se ajo i përket kombit tonë, dhe duhet të krenohemi e të galdojmë e gëzohemi, të falënderojmë Zotin, që kemi fatin t’i përkasim të njëjtit komb që i përket Nëna Terezë, pra kombit shqiptar, dhe që jetuam në epokën e saj, kurse do jemi të lumtur, kuptohet, dhe ajo me ne, vetëm nëse ndjekim jetën dhe shembullin e saj!
Po, ajo nuk ka nevojë për borxhet tona që kemi ndaj saj, ajo ka nevojë që ne të duhemi, të jetojmë së bashku e në mirëqenie, të jetojmë si një familje, ta lusim atë për të ndërmjetësuar te Ati qiellor për ne dhe të ardhmen tonë, ta lusim duke i kërkuar falje, sepse ajo është dashuri dhe na pranon në përqafim e na falë për mosrespektin, neglizhencën dhe mosdashurinë dhe padrejtësitë që i kemi bërë ndaj saj.
Bill Klinton ka thënë botërisht në qershor 2002: “Nënë Tereza, ishte e para Ajo që më bëri ta dua kombin shqiptar”.
Nëna Terezë, ndërroi jetë me 5 shtator 1997. Me këtë rast u dhanë deklarata të shumta, u mbajtën ditë zie dhe pikëllimi. Lajmin për vdekjen e saj e dhanë pothuaj të gjitha kanalet televizive botërore.
Ndër mendimet që dhanë njerëzit e politikës, eprorët e bashkësive fetare dhe të pendës, po veçojmë:
Papa Gjon Pali II: ”Nëna Terezë shembull i transformimit njerëzor të dashurisë së Zotit”
William Bill Clinton (ish-president amerikan) ”Vigani i shekullit tonë”.
Dr. Sali Berisha /kryeministër i Shqipërisë/:”Bija më e shquar e kombit tonë”.
Zhak Chirac (kryetar i Francës): ”Më pak dashuri në botë pas vdekjes së Nënës Terezë”.
Toni Blair (kryeministër britanik): ”Shpirti i saj do të rrojë si inspirim për gjithë ne”.
Dr don Lush Gjergji: ”Ajo ishte dashuri në vepër”
Imzot Mark Sopi: ”Do të mbetët në kujtim të përhershëm derisa të ekzistojë njerëzimi”.
Akademik Mark Krasniqi ”Simbol i traditës sonë”.
Bekim Fehmiu (artist): ”Pas Skënderbeut u largua edhe Nëna Terezë”.
Sabri Koçi (kryetar i Komunitetit shqiptar të besimit islam): ”Vdekja e Nënës Tereze ishte vdekja më e rëndë për kombin tonë”.
Ismail Kadare:”Bota dhe populli ynë mbet jetim pa të”.
Me 13 shtator 1997 – U Varros Nëna Terezë me nderimet më të larta që organizoi qeveria indiane.
Mbi shpalljen /beatifikimin/ e të Lumes Nënë Terezë /Gonxhe Bojaxhiu/
Murgesha e vogël, me zemër të madhe-Nobeliste e Paqes dhe Simbol i Dashurisë për të varfrit, të sëmurët dhe të lënët, me nderimet më të larta të hierarkisë katolike në Selinë e Shenjtë, vetëm pesë vjet pas vdekjes fizike do shpallet e Lume që është shkalla e fundit para shpalljes zyrtare të saj nga ana e hierarkisë Kishtare shenjtëreshë, me rastin e marrjes së këtij vendimi historik nga ana e Atit të Shenjt – Gjon Pali i Dytë (përndryshe mik i madh i popullit shqiptar) shënon rekord të ri në beatifikimin e të lumturuarve-shenjtërimin e të merituarve (Beatifikimi apo shpallja e Lume ishte me; 13 tetor 2002)
Në arsyetimin e këtij vendimi historik për beatifikimin e Bijës Shqiptare-Gonxhe Bojaxhiu, e njohur në mbarë botën si Nëna Terezë e Dashurisë, përmenden edhe 122 mirënjohje ndërkombëtare, përveç Çmimit Nobel për Paqe, më 1979, si dhe disa mrekulli, të cilat vështirë mund të shpjegohen edhe shkencërisht.
Komisioni Kishtar për beatifikim, pasi ka shqyrtuar 80 volume me 113 dëshmi e 35.000 faqe të shkruara me akte nga jeta dhe vepra e të Lumes që gjithë bota qysh sa ishte ende gjallë Nëna Tereza e quante Shqiptaren, Shenjtëreshë, ka përgatitur materialin sintezë nga jeta, vepra dhe mrekullitë e Nënës Terezë, në ekstraktin 5000 faqesh të shkruara dhe pas analizimit të tij, Papa ka marr vendimin për shenjtërimin zyrtar të Gonxhe Bojaxhiut shenjtëreshë, kjo që edhe ndodhi kur Kisha Universale në krye më Papa Françeskun shpallë me: 4 Shtator 2016 të Shenjtë Nënë Tereza Bojaxhiu-n, bijën e popullit tonë.
Për fund;
Populli Shqiptar ndjehet krenar (apo duhet të jetë krenar) për bijën e tij, që ishte dhe është gruaja më e madhërishme e botës së shekullit XX e fryma dhe filozofia e jetës së cilës vazhdon të jetoj dhe do jetë e përjetshme. Është pra një nderë dhe një privilegj i madh për kombin tonë shenjtërimi i Nënës Terezë, të cilën mbarë bota e quan Nënë. Le të bëjmë secili nga ne diçka të vlefshme për dashurinë njerëzore sepse sot më shumë se kurrë kemi nevojë njëri për tjetrin, kemi nevojë për bashkim e dashuri vëllazërore.
Jeta është gjëja më e vlefshme që kemi dhuratë, prandaj që të jemi mirë me Zotin dhe vëllain e motrën njeri, jeto sipas mësimit dhe shembullit të bijës e nënës tonë dhe të botës, Shën Nënë Terezë.
Kisha me përfundua këtë shkrim pikërisht me një poezi të Shën Nënës Terezë ( me të cilën edhe shohim se si e ka kuptuar Nëna e jonë jetën) e këto vargje le të jenë mësim, testament për ne, mbi jetën;
JETA
Jeta është mundësi, pranoje.
Jeta është bukuri, admiroje.
Jeta është lumturi, shijoje.
Jeta është ëndërr, zbatoje.
Jeta është sfidë, ballafaqoje.
Jeta është detyrë, kryeje.
Jeta është lojë, luaje.
Jeta është e çmueshme, nderoje.
Jeta është pasuri, ruaje.
Jeta është dashuri, përjetoje.
Jeta është fshehtësi, zbuloje.
Jeta është premtim, plotësoje.
Jeta është pikëllim, tejkaloje.
Jeta është himn, këndoje,
Jeta është tragjedi, zbute.
Jeta është aventurë, zbërtheje.
Jeta është kënaqësi, meritoje.
JETA ËSHTË JETË, MBROJE.
(Nëna Terezë)
