Çitaku për rrëfimin e Nishorit: Sot dëshmove forcë dhe guxim

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka thënë se Ramadan Nishori, i mbijetuari i dhunës seksuale nga lufta në Kosovë sot dëshmoi forcë dhe guxim të jashtëzakonshëm.

“Nuk do ta harroj kurrë takimin tonë të parë, fjalët e tua dhe dëshminë tënde rrënqethëse. Sot, si atëherë, u gjende madhështor përballë së vërtetës, përballë dhembjes dhe përballë kujtimeve që kërkojnë zemër të madhe”.E dije se rrëfimi yt është më shumë se një tregim, është dëshmi, është thirrje për drejtësi. Dhe për këtë, kurrë nuk do të jesh vetëm. Sot e përherë, do të më kesh në krah, mua dhe shumë miq e dashamirë”, ka shkruar ajo në një postim në Facebook.

Ndryshe Ramadan Nishori sot e theu heshtjen dhe foli publikisht për herë të parë për ngjarjen e rëndë.

Ramadan Nishori shënoi moment historik, duke u bërë burri i parë që rrëfeu përjetimin e dhunimit seksual në luftën e fundit në Kosovë. Për nder të Ditës së të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale të luftës, ai ka rrëfyer ngjarjen që i ka ndodhur kur ka qenë 22-vjeçar, nga dy policë serb në stacionin e policisë në Drenas. /Kosova.info/


Go to TOP