OPINION

Cila është epoka e ndryshimit!?

Shkruan: Florim ZEQA
Padyshim se përgjatë epokave historike, kemi figura të shquara nga fusha e politikës, shkencës, letërsisë, artit apo sportit që me veprat e tyre madhore kanë lënë gjurmë të pashlyera në kujtesën popullore dhe historike.

Epoka e Viteve të Krenarisë Kombëtare

Kohëve të fundit nga analist të ndryshëm politikë, kemi dëgjuar duke i ndarë padrejtësisht epokat e zhvillimeve politike dhe shoqërore të këtyre tri dekadave të fundit në vendin tonë: Epoka e Ibrahim Rugovës, Epoka e Hashim Thaçit dhe Epoka e Albin Kurtit, duke aluduar në një qeverisje të gjatë të këtij të fundit!

Epokën e Ibrahim Rugovës do ta quaja ndryshe si epokën e rezistencës paqësore dhe shtetformimit, epokën e luftës çlirimtare dhe të shtetndërtimit.

Vetëm pas përmbylljes së një epoke apo cikli jetësorë të një politikani mund të nxjerrën konkludime logjike dhe përfundimtare. Andaj, pas shkuarjes në amshim të presidentit historik, me të drejtë mund ta quajmë Epoka e Ibrahim Rugovës apo Epoka e Viteve të Krenarisë Kombëtare, epokë kjo në të cilën ndodhi homogjenizimi ynë më i madh dhe i paparë ndonjëherë gjatë historisë, ku ndodhi mrekullia e faljes masive të gjaqeve dhe ngatërresave, e cila kishte prodhuar frikë dhe pasiguri tek regjimi okupues i Serbisë.

Thënë ndryshe, në këtë epokë u vunë themelet e shtetit të Kosovës: Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 para dyerve të Kuvendit në Prishtinë, Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 shtatorit e po të njëjtit vit, e mbajtur në Kaçanikun legjendar, Referendumi gjithë popullor për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur të mbajtur prej 26-30 shtator 1991, dhe zgjedhjet e para të lira pluraliste për Kuvendin e Republikës së Kosovës të mbajtura më 24 maj 1992, më ç’rast zgjidhet edhe kryetari i parë i Republikës së Kosovës (Ibrahim Rugova) më mandatin e Kushtetutës së Kaçanikut.

Pa këto dokumente të rëndësishme historike, Kosova nuk do të arrinte dot as të zhvillimet tjera të më vonshme që u kurorëzuan më luftën çlirimtare, e madje as në 17 shkurtin e 2008-s, që shënon fillimin e njohjes formale ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, kërkesë kjo që i rrodhi nga goja presidentit historik Ibrahim Rugova deri në frymën e tij të fundit.

Republika e Kosovës për popullin shumicë të saj ekziston që nga 2 Korriku i vitit 1990. Ekziston jo vetëm në kujtesën e popullit, por në të gjitha dokumentet e shkruara zyrtare gjatë periudhës së funksionimit të shtetit paralel në rrethanat okupuese e deri në ditët e sotme.

Ishte përkrahja e madhe morale e materiale e mbarë popullatës (mërgatës) shqiptare, ajo që e kishte bërë funksionale Republikën e Kosovës në të gjitha nivelet, gjë e cila kishte çuar në shkëputjen totale të institucioneve tona shtetërore nga institucionet e sistemit okupues të Serbisë.

Në pritje të zhvillimeve epokale

Sa i përket “epokës” së personalitetit të dytë, Hashim Thaçit, as që ia vlen të ndalemi në vlerësime, për shkak se Ai nuk i krijojë, por ishte produkt i rrethanave politike kombëtare dhe ndërkombëtare, ashtu siç ishte 17 shkurti i vitit 2008.

Roli i Hashim Thaçit në ngjarjen e 17 shkurtit 2008, nuk është më pak dhe as më shumë sesa një lexues i nivelit mesatar i “Deklaratës së Pavarësisë, e pasuar me himn dhe simbole shtetërore, ndryshe nga ato të projektuara nga arkitekti i shtetit të Kosovës, presidenti historik Ibrahim Rugova!

Nuk dëshirojë të ndalem tani në të arriturat dhe dështimet politike të Hashim Thaqit në 12 vjetët e qeverisjes së tij, për shkak se të gjitha janë të arkivuara në mediat e shkruara dhe elektronike dhe të skalitura në kujtesën popullore.

Se vërtetë Hashim Thaçi nuk ishte personalitet që e përcaktoi dhe e solli 17 shkurtin 2008 po ua dëshmojë me një argument të fuqishëm. Tetë ditë para se të shpallej Deklarata e Pavarësisë së 17 shkurtit 2008, kur në Kosovë liderët partiakë dhe shtetërorë bënin garë me njëri-tjetrin, se cili e “dinin” më mirë ditën e shpalljes, në një takim zyrtar të “La Rete Interistituzionale” në Cordignano (TV-Itali), në prezencën e qindra pjesëmarrësve, këshilltari komunal i këtij qyteti, De Carlo Guido më urojë publikisht lindjen e shtetit më të ri në Ballkan (Republikës së Kosovës), duke ua bërë të ditur të pranishmëve, se më 17 shkurt do të ndryshon harta gjeopolitike e kësaj pjese të Evropës.

Ndryshe, për personalitetin e tretë, atë të kryeministrit aktual, Albin Kurti, është herët për t’u dhënë vlerësime, për shkak të ndryshimit më shumë të personalitetit të tij sesa të rrethanave politike në vend.

Se a do të jetë vërtetë qeverisja e Albin Kurtit epokë e ndryshimit apo e dështimit politik, mbetët të shihet në muajt apo vitet në vazhdim. E kaluara ka ikur, e tashmja lenë pakë për të dëshiruar, të nesërmes ia kemi frikën…!

Lutem për të ardhmen e ndritshme dhe prosperuese të vendit tim!