Çifte Hamam në Shkup mirëpret artisten nga Kosova

Për herë të parë, artistja Luljeta Rama Muçaj është prezantuar me ekspozitën personale “Zhurma e kuptimit” në Galerinë Kombëtare në Çifte Hamam në Shkup. E ndërtuar mbi tri tema kryesore: identiteti, zhurma dhe komunikimi, kjo ekspozitë vjen si një rrëfim vizual përmes një qasjeje bashkëkohore në dizajn grafik, që njëkohësisht është edhe fokusi kryesor i ekspozitës.

E njohur si një artiste bashkëkohore që ndërthur pikturën me dizajnin, Luljeta Rama Muçaj, në krijimtarinë e saj shpalos punime që janë të realizuara mbi tekstura të ngritura me kompozime që burojnë nga struktura e dizajnit. Në veprat e saj shpërfaqet një kërkim i qëndrueshëm mbi marrëdhënien ndërmjet identitetit, dialogut dhe strukturave të ndërmjetësimit në realitetin bashkëkohor vizual.

Kuratorja e ekspozitës, Narona Luma Veseli, në hapje të ekspozitës është shprehur se “Zhurma e kuptimit nuk përfaqëson kaosin si mungesë rendi, por si një gjendje dinamike ku kuptimi ndërtohet, shpërbëhet dhe riformulohet vazhdimisht. Identiteti, si një nga temat qendrore të kësaj ekspozite, trajtohet si një konstrukt i hapur dhe i paqëndrueshëm”.

E emocionuar dhe e lumtur, artistja Luljeta Rama Muçaj u shpreh se ndihet e nderuar dhe mirënjohëse që për herë të parë është prezantuar me ekspozitë personale në Shkup. “Këto punime që po i shihni po i ekspozoj për herë të parë para publikut këtu dhe arsyeja pse kam zgjedhur tri temat, identiteti, dialogu dhe zhurma, është se çdo ditë ballafaqohemi me këto tema”, theksoi Luljeta në hapje të ekspozitës.

Ekspozita ndërton një narrativë që kalon nga fragmentimi drejt lidhjes, nga zhurma drejt kuptimit, duke sugjeruar se komunikimi nuk është një akt linear, por një proces kompleks dhe shpesh i brishtë.

“Kjo nuk është thjesht vetëm një ekspozitë ku prezantohen veprat artistike, por edhe një takim mes artistit dhe publikut, një dialog i hapur mes ngjyrave, formave dhe imagjinatës”, tha Ali Sinani, drejtori i Galerisë Çifte Hamam në Shkup.

Profesor Arlind Farizi vlerësoi qasjen konceptuale dhe fuqinë shprehëse të veprave, duke theksuar rëndësinë e këtij rrëfimi vizual në kontekstin bashkëkohor. “Në këtë galeri punimesh artistike, ngjyrat, teknikat dhe temat krijojnë një zë unik artistik që prek rrënjët tona. Në thelb, identiteti është një nga temat universale”, shtoi ai.

Autorja eksploron identitetin si një proces të vazhdueshëm ndërtimi dhe rikrijimi, duke e vendosur në një dialog të hapur me realitetin bashkëkohor, duke reflektuar mbi mënyrat se si ne e kuptojmë veten dhe tjetrin në një botë të mbingarkuar me imazhe dhe informacione. 


Go to TOP