Çfarë ndryshimesh pësuan listat e partive për zgjedhjet e qershorit?
Bartës të rinj, lëvizje të kandidatëve nga një parti politike në tjetrën, lënie jashtë dhjetëshes së parë të figurave të njohura partiake e madje edhe jashtë garës: këto janë ndryshimet në listat zgjedhore të subjekteve kryesore politike shqiptare për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit.
Sipas njohësit të çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, listat e kandidatëve për deputetë janë refleksion i dinamikave brenda subjekteve politike.
Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se nga përbërja e listave e nga renditja e kandidatëve në to mund të kuptohet gjendja aktuale e partive e orientimet e tyre në të ardhmen.
Muhaxheri shton se, përveç Lidhjes Demokratike të Kosovës – që mandatin e kaluar u rendit e treta – partitë e tjera “nuk kanë pasur as vullnet e as guxim” t`i reformojnë listat e kandidatëve.
“Kjo është një shenjë e qartë që nuk kanë plan ta bëjnë ndonjë reformë të mirëfilltë dhe do të vazhdojnë me qasjen të cilën e kanë pasur deri më tash, pra edhe sa i përket adresimit të problemeve të qytetarëve, por edhe të ofrimit të ofertave konkrete”, thotë Muhaxhiri.
Pse ndryshoi renditja e kandidatëve në listat zgjedhore?
Pas përfundimit të afatit për dorëzimin e listave të kandidatëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, subjektet publikuan listat, ku u vërejtën edhe ndryshime të renditjes së kandidatëve krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit dhe 28 dhjetorit.
Në LDK, ndryshimi nis qysh në bartësin e listës: aty është vendosur ish-anëtarja e këtij subjekti dhe ish-presidentja Vjosa Osmani, dhe pas saj është kreu partiak, Lumir Abdixhiku.
Lista e këtij subjekti ka pësuar ndryshime edhe në dhjetëshen e parë. Aty mungojnë dy ish-deputetët, Avdullah Hoti e Hykmete Bajrami, teksa janë përfshirë Albena Reshitaj dhe Jeta Statovci që ishin pjesë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Para se të publikohej lista, Hoti, që më herët ka mbajtur edhe postin e kryeministrit, shkroi në Facebook se numri i vetëm që është i rëndësishëm është ai i partisë, teksa “numrat e tjerë i përcaktojnë qytetarët”.
Ndërkaq, Bajrami tha se nuk paraqet problem vendosja e saj në listë pas “njerëzve që deri dje e kanë luftuar LDK-në”, referencë për kandidatët që u prezantuan nga ish-presidentja Osmani, e cila më 2020 kishte ndarë rrugët me LDK-në.
Jashtë garës kanë mbetur edhe ish-deputetët e LDK-së Driton Slemanaj, Vlora Dumoshi, Ismet Beqiri, Krenar Xhaferi e Rrezarta Krasniqi.
Sa ndryshuan listat e partive me kandidatët për deputetë?
Nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të dhjetorit të vitit 2025 në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 7 qershor 2026, lista e Lëvizjes Vetëvendosje ka pësuar vetëm një ndryshim në 15-shen e parë.
| 2026 | 2025 | |
|---|---|---|
| 1 | Albin Kurti | Albin Kurti |
| 2 | Glauk Konjufca | Glauk Konjufca |
| 3 | Donika Gërvalla Schëarz | Donika Gërvalla Schëarz |
| 4 | Avni Dehari | Avni Dehari |
| 5 | Albulena Haxhiu | Albulena Haxhiu |
| 6 | Hekuran Murati | Hekuran Murati |
| 7 | Xhelal Sveçla | Xhelal Sveçla |
| 8 | Mimoza Kusari Lila | Mimoza Kusari Lila |
| 9 | Hajrulla Çeku | Hajrulla Çeku |
| 10 | Shqipe Mehmeti Selimi | Shqipe Mehmeti Selimi |
| 11 | Andin Hoti | Andin Hoti |
| 12 | Arben Vitia | Arben Vitia |
| 13 | Saranda Bogujevci | Saranda Bogujevci |
| 14 | Arbërie Nagavci | Arbërie Nagavci |
| 15 | Arton Konushevci | Zef Morina |
Lista e Partisë Demokratike të Kosovës sjell më shumë ndryshime, me kandidatë si Pëparim Gruda e Arian Tahiri që futen në pesëshen e parë.
| 2026 | 2025 | |
|---|---|---|
| 1 | Bedri Hamza | Bedri Hamza |
| 2 | Uran Ismaili | Uran Ismaili |
| 3 | Vlora Çitaku | Vlora Çitaku |
| 4 | Përparim Gruda | Enver Hoxhaj |
| 5 | Arian Tahiri | Arben Mustafa |
| 6 | Besa Kabashi Ramaj | Besa Kabashi Ramaj |
| 7 | Rrahman Rama | Rrahman Rama |
| 8 | Arben Mustafa | Eman Rrahmani |
| 9 | Sala Jashari | Sala Jashari |
| 10 | Enver Hoxhaj | Kujtim Gashi |
| 11 | Jakup Nura | Jakup Nura |
| 12 | Ganimete Musliu | Ganimete Musliu |
| 13 | Blerta Deliu Kodra | Blerta Deliu Kodra |
| 14 | Xhavit Haliti | Xhavit Haliti |
| 15 | Rrustem Mustafa | Përparim Gruda |
Ndërsa, në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës vetëm Doarsa Kica Xhelili, Lutfi Haziri dhe Besian Mustafa mbajtën të njëjtat pozita.
| 2026 | 2025 | |
|---|---|---|
| 1 | Vjosa Osmani Sadriu | Lumir Abdixhiku |
| 2 | Lumir Abdixhiku | Kujtim Shala |
| 3 | Kujtim Shala | Hykmete Bajrami |
| 4 | Doarsa Kica Xhelili | Doarsa Kica Xhelili |
| 5 | Lutfi Haziri | Lutfi Haziri |
| 6 | Jehona Lushaku Sadriu | Avdullah Hoti |
| 7 | Albena Reshitaj | Anton Quni |
| 8 | Ukë Rugova | Jehona Lushaku Sadriu |
| 9 | Jeta Statovci | Ferid Agani |
| 10 | Anton Quni | Ukë Rugova |
| 11 | Avdullah Hoti | Xhafer Gashi |
| 12 | Hykmete Bajrami | Adelina Thaqi Meta |
| 13 | Fahrije Hoti | Ekrem Hyseni |
| 14 | Besian Mustafa | Besian Mustafa |
| 15 | Haxhi Avdyli | Serbeze Muçaj |
Ndryshime ka pësuar edhe lista e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ku Ramush Haradinaj nuk është më bartës i saj.
| 2026 | 2025 | |
|---|---|---|
| 1 | Ardian Gjini | Ramush Haradinaj |
| 2 | Besnik Tahiri | Besnik Tahiri |
| 3 | Time Kadrijaj | Time Kadrijaj |
| 4 | Bekë Berisha | Bekë Berisha |
| 5 | Arbër Tolaj | Arbër Tolaj |
| 6 | Albana Bytyqi | Albana Bytyqi |
| 7 | Burim Ramadani | Pal Lekaj |
| 8 | Avni Arifi | Gani Dreshaj |
| 9 | Diellza Kukaj | Diellza Kukaj |
| 10 | Agim Çeku | Agim Çeku |
| 11 | Ramush Haradinaj | Burim Ramadani |
| 12 | Teuta Haxhiu | Teuta Haxhiu |
| 13 | Ahmet Isufi | Shemsedin Dreshaj |
| 14 | Fatmir Iska | Arton Demhasaj |
| 15 | Xhevahire Vllasaliu Zhuniqi | Xhevahire Vllasaliu Zhuniqi |
Tabela: Doruntina Baftiu | Radio Evropa e LirëBurimi: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
Për Muhaxhirin, Abdixhiku ka rrezikuar shumë me ndryshimet e bëra në listë.
“Vetëm një rezultat spektakolar i LDK-së mund t`i jap të drejtë Abdixhikut, përndryshe nëse rritja është e vogël, atëherë kjo do të shihet si një dështim i madh”, thotë ai, duke shtuar se pakënaqësitë e kandidatëve në betejat e brendshme partiake, do të reflektohen në rezultatin zgjedhor.
Në Partinë Demokratike të Kosovës – që në zgjedhjet e dhjetorit u rendit partia e dytë – në dhjetëshen e parë kësaj radhe kanë hyrë ish-deputetët Përparim Gruda dhe Arian Tahiri, të cilët në zgjedhjet e fundit ishin në vendin e 15-të, respektivisht në të 30-tin. Por, jashtë dhjetëshes së parë mbeti Eman Rrahmani, e krejt jashtë garës mbeti Kujtim Gashi, që më herët ka mbajtur postin e ministrit. Po ashtu nuk garon as ish-deputeti Abelard Tahiri dhe ish-kreu i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.
Përbërja e listës së PDK-së që udhëhiqet nga Bedri Hamza, për Muhaxhirin është rezultat i “mungesës së guximit” e të planifikimit të ndonjë reforme, teksa thotë se kjo parti është e fokusuar më shumë në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku dy ish-krerët partiakë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli presin vendimin për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
“PDK-ja ka sytë dhe mendjen drejt Hagës dhe mbase edhe pa një rezultat final nga gjykata e Hagës nuk mund të pritet ndonjë reformë e mirëfilltë”, vlerëson Muhaxhiri.
Ndryshime pësoi edhe lista e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila u rendit e treta nga partitë shqiptare në votimet e dhjetorit. Tani, bartës i listës është kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, teksa kreu aktual partiak, ish-kryeministri Ramush Haradinaj gjendet në vendin e 11-të.
Në dhjetëshe po ashtu kanë hyrë Avni Arifi e Burim Ramadani, ndërkaq jashtë garës kanë mbetur Pal Lekaj e Gani Dreshaj dhe Shemsedin Dreshaj.
Gjini, përveç se është bartës liste, është edhe kandidat i AAK-së për kryeministër. Për Muhaxhirin, tërheqja e Haradinajt nga gara për kryeministër është vendim i duhur, ndonëse e vlerëson si sfidues për Gjinin, i cili pritet po ashtu të konfirmohet më vonë si kryetar i ri partiak.
“Ndryshimi edhe i kryetarllëkut, por edhe i kandidaturës për kryeministër, e imponon këtë ndryshim edhe në teren dhe është një sfidë e madhe të cilën zoti Gjini do të duhet që ta balancojë mes historisë dhe realitetit”, vlerëson ai.
Partitë kryesore mbeten pranë minimumit ligjor për përfaqësimin e grave
Numri i grave në listat për deputetë të partive kryesore në Kosovë mbetet vetëm pak mbi kuotën gjinore prej 30 për qind të paraparë me ligj. Lëvizja Vetëvendosje ka përqindjen më të lartë të grave në listën për zgjedhjet e 7 qershorit, por Lidhja Demokratike e Kosovës ka më shumë gra në dhjetëshen e parë.
| Partia | Kandidate gra | Përqindja | Top 10 | Top 50 |
|---|---|---|---|---|
| LVV | 393939 | 35,5% | 4/10 | 19/50 |
| LDK | 383838 | 34,5% | 5/10 | 18/50 |
| PDK | 373737 | 33,6% | 3/10 | 16/50 |
| AAK | 373737 | 33,6% | 3/10 | 17/50 |
Tabela: Doruntina Baftiu | Radio Evropa e LirëBurimi: Listat e publikuara të partive politike
Lëvizja Vetëvendosje, në pushtet, ndërkaq, ka më pak ndryshime në listë dhe dhjetëshja e parë mbetet e pandryshuar, teksa partia garon për mandatin e katërt të Kurtit në postin e kryeministrit.
Muhaxhiri thotë se ka pritur që lista e kësaj partie të mos ketë ndryshime të mëdha. Sipas tij, Kurti është “i patrazuar” në strukturat e partisë.
“Atij i konvenon që ta bëjë një copy-paste dhe të vazhdojë në mënyrë të njëjtë siç ka qenë deri më tani, edhe pse kjo gjithsesi se ndikon në cenimin e kualitetit të debatit brendapartiak, por edhe të ideve. Sepse nuk mund të pritet një gjë e tillë në një parti e cila vepron me kaq uniformitet dhe ku nuk ka asnjë indikacion se mund të ketë ndonjë ndryshim politik”, thekson Muhaxhiri.
Por, disa figura të LVV-së kanë mbetur jashtë garës. Aty nuk janë përfshirë ish-zëvendësministrat Hysen Durmishi, Dafina Gexha, Blerim Sallahu e Agon Dobruna. Po ashtu nuk janë përfshirë as ish-kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ish-kandidatja për kryetare të Drenasit, Egzona Tërdevci, e ish-deputetët Driton Hyseni e Gramos Agusholli.
Përveç largimeve të disa figurave nga listat, në LVV ka edhe emra të rinj që garojnë në zgjedhjet e qershorit. Në mesin e tyre janë zëvendësministrat në detyrë Arton Konushevci dhe Triera Kasumi- Berisha, ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, e aktivistja Adelina Tërshani.
Në PDK, vetë kreu i partisë, Bedri Hamza, tha se mbi gjysma e listës me kandidatë për deputetë përbëhet nga emra të rinj, duke argumentuar se ky ndryshim është “si pjesë e përkushtimit të PDK-së për t’u dhënë hapësirë kuadrove të rinj”.
Në listën e kësaj partie, veç tjerash është përfshirë Rrustem Mustafa – që më herët ka qenë deputetë, ish-deputetja e Partisë Socialdemokrate Aida Dërguti dhe ish-kryetari i Zveçanit, Ilir Peci.
Kritika për listat
Pas publikimit të listave pasuan edhe kritikat për to, veçmas për përfshirjen e disa figurave.
Analisti politik, Ilir Deda, shkroi në rrjetet sociale se LVV, PDK dhe LDK rinadiduan njerëz “që kanë manipuluar me vota më 28 dhjetor” – duke iu referuar ndryshimeve që u vërejtën në votat e disa kandidatëve për deputetë në disa parti, përfshirë edhe në PDK.
Ndërkaq, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha se në listën e kandidatëve për deputetë, Lëvizja Vetëvendosje ka përfshirë persona që janë të dënuar për vepra penale e të akuzuar për korrupsion e vepra të tjera penale.
Në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit garojnë 18 parti politike, tri koalicione, një nismë qytetare dhe një kandidat i pavarur.
Risi është që kësaj radhe Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt nuk garon fare, teksa PDK-ja ia refuzoi kërkesën që figura të kësaj partie të përfshiheshin në listën e saj. Ndërkaq, garës i është rikthyer edhe Partia Socialdemokrate me gjithsej gjashtë kandidatë.
Sipas të dhënave të KQZ-së, për 120 vende në Kuvend garojnë 917 kandidatë, nga të cilët 603 janë burra dhe 314 janë gra.
