Çfarë i kishin thënë amerikanët Presidencës për lëvizjen e Ambasadës nga Jerusalemi?

Kosova ka vendosur ambasadën në Jerusalem pas njohjes që ka marrë nga Izraeli si rezultat i Marrëveshjes së Washingtonit që ishte firmosur në Shtëpisë së Bardhë në vitin 2020. Një vendim i tillë kishte nxitur reagime të shumta, marrë parasysh kontestin mes Izraelit dhe Palestinës për çështjen e Jerusalemit.

Sa i përket lokacionit të Ambasadës së Kosovës në Izrael, në një intervistë ka folur shefi i stafit të Presidentes së Republikës, Blerim Vela. Ai ka thënë se presidentja Vjosa Osmani qysh në fillim ka deklaruar se në rast se do të bëhet ndonjë korrigjim, do të bëhet në konsultim me shtetet mike të Kosovës, konkretisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës që tashmë kanë në krye presidentin Joe Biden.

Vela tutje ka treguar  se për një gjë të tillë kanë pasur diskutime me administratën aktuale të Shtëpisë së Bardhë dhe se qëndrimi amerikan ka qenë se për momentin vendimi për Ambasadën në Jerusalem nuk do të ndryshojë.

“Çfarë ka thënë presidentja nga fillimi është që kjo çështje do të trajtohet me administratën e preisdentit Biden, pra në qoftë se do të mund të bëhet ndonjë korrigjim, do të jetë si rezultat i konsultimeve me shtetet mike, përkatësisht me administratën e SHBA-së, dhe në konsultim që kemi pasur me administratën Amerikane, kemi parë që një vendim i tillë për momentin nuk do të ndryshojë”, ka thënë Vela të enjten më 7 prill 2022.

Marrëveshja e Washingtonit ishte nënshkruar nga ish-kryeministri Avdullah Hoti i cili ishte pritur në Shtëpinë e Bardhë nga Donald Trump sa ishte në krye të SHBA-së. Në marrëveshjen shumëpikëshe ku përfshiheshin projekte ekonomiko-infrastrukturore ishte edhe pika për njohjen-reciproke Kosovë-Izrael.

Marrëveshja ishte kritikuar nga opozita e atëhershme që drejtohej nga Albin Kurti, që ishte rrëzuar nga pushteti si rezultat i një mocioni votëbesimi nga partneri i koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës, pasi nga partia që drejtonte Isa Mustafa thuhej që s’mund të qëndronte në një qeveri me qëndrime anti-amerikane.

Edhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tashmë kryeministër, kishte paralajmëruar se vendimi për Jerusalemin si lokacion të ambasadës së Kosovës në Izrael do të shqyrtohej.

Qëndrimi zyrtar i Administratës së Joe Biden është që respektojnë Marrëveshjen e Washingtonit që mban firmën e ish-presidentit Donald Trump dhe kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia angazhim për implementimin e saj.

Go to TOP