Çështja e Manastirit të Deçanit, ministri Çeku: Organizata “Europa Nostra” e ka humbur kredibilitetin, i është nënshtruar Serbisë

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku sot në një konferencë për media ka folur në lidhje me qëndrimet e organizatës “Europa Nostra” për Manastirin e Deçanit dhe vizitës së këtij delegacioni në Kosovë.

Çeku në këtë konferencë për media ka thënë se organizata “Europa Nostra” ka humbur kredibilitetin e saj pasi i është nënshtruar Serbisë.

Ai e quajti të pakuptimtë vizitën e delegacionit të kësaj organizate më 13 korrik.

“Për ne kjo vizitë vazhdon të jetë e pakuptimtë. Kjo organizatë ka humbur kredibilitetin pasi i është nënshtruar Serbisë. Kjo organizatë e vitin e kaluar e ka përfshirë monumentin e Deçanit në listë të objekteve të rrezikuara”, tha ai, raporton Telegrafi.

Ai po ashtu kërkoi sqarim nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon se pse në një status të saj në Tweet-er i ka futur në një fjali “Manastirin e Deçanit” dhe monumentet e shkatërruara nga forcat ruse në Ukrainë.

“Viola von Cramon, në një Tweet të saj për Manastirin e Deçanit dhe monumentet shkatërruara në Ukrahinë nga forcat ruse, futen në një fjali. Kërkojmë sqarim për këtë gabim që e ka bërë. E kemi një pyetje, a ka tërhequr ndonjë paralele mes neve dhe Ukrainë duke tërhequr ndonjë paralele të kësaj. A mendon dhe a ka tërheq paralele në mes Kosovës dhe Serbisë në momentin kur këto monumente i fut në një fjali”, tha Çeku.

Ministri po ashtu tregoi se monumentet në Kosovë të shkatërruara gjatë luftës së fundit nga forcat serbe ka kaluar numrin 1,000 të aseteve.

“Komisioni për monumentet e shkatërruara nga forcat serbe gjatë luftës ka kaluar numrin 1,000 të aseteve. Komisioni po punon me dinamikë të shtuar…Në raport me këto artefakte kemi nisur fushatën për kthimin e 1,247 artefakteve, të cilat po mbahen padrejtësisht”, tha ndër të tjera ministri Ceku.

Ndryshe, organizata evropiane Europa Nostra, që merret me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore, kohë më parë e kishte listuar Manastirin e  Deçanit si monument që është në rrezik.

Reagime të shumta për këtë ka pasur nga Qeveria e Presidenca e Kosovës, nga kryetari i Komunës së Deçanit, historianët e qytetarët e vendit. 

Go to TOP