Çeku: Shumë nga suksesi që festojmë nuk do të ishin të mundura pa vullnetarët

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, UNICEF dhe UN Volunteers kanë shënuar Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit. Këtë vit përmes vullnetarizmit është promovuar mbrojtja e mjedisit dhe parandalimi i mbrojtës së ajrit përmes fuqizimit të komuniteteve dhe nismave lokale.

Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, tha se shumë nga sukseset që festohen sot në fusha të ndryshme do të ishin të pamundura pa punën vullnetare.
Çeku tha se kanë hartuar koncept-dokumentin për rininë, me qëllimin e përmirësimit të legjislacionit në fushën e rinisë dhe të reformimit të gjithë politikës shtetërore për ta mundësuar një zhvillim sa më të mirë të rinisë në vend, platformë kjo e cila tha se do të mundësohet përmes ligjit të ri vitin e ardhshëm.

“Këtë vit në veçanti është promovuar mbrojtja e mjedisit dhe parandalimi i mbrojtës së ajrit përmes fuqizimit të komuniteteve dhe nismave lokale. Fakti është që shumë nga suksesi që festojmë si në kulturë, rini dhe sport nuk do të ishin të mundura pa vullnetarët, prapaskenave, që angazhohen përtej interesit vetanak të tyre për një qëllim të përbashkët në përfitim të shoqërisë… Pas një procesi të konsultimit gjithëpërfshirës në gjithë shtetin tonë, kemi hartuar koncept dokumentin për rininë, me qëllimin e përmirësimit të legjislacionit në fushën e rinisë dhe të reformimit të gjithë politikës shtetërore për ta mundësuar një zhvillim sa më të mirë të rinisë sonë. Këto reforma do të mundësohen përmes ligjit të ri për rininë dhe strategjisë kombëtare për rini, të dy këto dokumente të planifikuara për vitin e ardhshëm”, theksoi Çeku.

Arnhild Spence, koordinatore e OKB-së për Zhvillim, është shprehur krenare me punën që bëjnë vullnetarët e Kosovës. Ajo tha se ka mjaft punë për të bërë në këtë drejtim.

“Jam krenare të di që Kosova ka programin më të madh të vullnetarizmit në Evropë dhe kjo flet për iniciativat dhe aktivizimit sa i përket kontributit të shoqërisë, e çmoj shumë”, tha Spence.

Nona Zicherman, shefe e UNICEF-it në Kosovë, ka falënderuar të gjithë qytetarët për aktivitetet që bëjnë në kuadër të vullnetarizmit. Ajo tha se solidariteti i tillë nevojitet sot më shumë se kurrë.

“Falënderoj vullnetarët tanë që me aktivitetet e vogla po bëjnë ndryshime të mëdha, ndryshime të mëdha në komunitetin e tyre. Vullnetarizmi ka të bëjë me bashkimin dhe në fillim kemi parë punë të mrekullueshme se si të rinjtë në Kosovë janë duke bërë. Solidariteti i tillë nevojitet më shumë se kurrë”, tha Zicherman.

Blerim Azizi, koordinator i Vullnetarëve të OKB-së, tha se këtë vit po përqendrohen në përkushtimin e atyre që dëshirojnë të ndihmojnë për ta përmirësuar mjedisin në të cilin jetohet.

“Sot reflektojmë në lidhje me atë se çfarë punët e vullnetarizmit kanë sjellë si për individët dhe shoqërinë. Kjo ditë e veçantë është që të pranohet kontributi i vullnetarizmit. Këtë vit po përqendrohemi në përkushtimin e atyre që dëshirojnë të ndihmojnë për ta përmirësuar mjedisin në të cilin jetojmë. Përmes vullnetarizmit mund t’i bëjmë gjërat të ndodhin”, tha Azizi.

Go to TOP