Cakolli: S’ka seancë të jashtëzakonshme pa dekret për mandatarin – Kuvendi nuk mund të votojë as për buxhetin

Eugen Cakolli nga KDI ka sqaruar se në këtë fazë nuk ekzistojnë kushte ligjore për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës. Ai thekson se pas dështimit të votimit për qeverinë në seancën e fundit, duhet të zhvillohen fillimisht konsultimet e Presidentes me partitë politike për të vendosur se kujt, dhe nëse, do t’i jepet mandati i dytë për formimin e Qeverisë.

“Së pari duhet të zhvillohen konsultimet nga Presidentja me partitë dhe të vendoset se kujt dhe nëse do të jepet mandatari i dytë. Derisa të përfundojë kjo procedurë dhe të ketë dekret për mandatarin, Kuvendi nuk ka bazë dhe rrethana për t’u mbledhur për çfarëdo votimi, përfshirë atë të qeverisë”, ka deklaruar Cakolli.

Sipas tij, nënshkrimet që po përmenden në opinion si iniciativë për thirrjen e seancës nuk kanë efekt juridik jashtë procesit të konsultimeve. “Ato mund të shërbejnë vetëm si provë gjatë bisedimeve me Presidenten, në kuadër të ‘kritereve mbizotëruese’. Për më tepër, për të dëshmuar shumicën nevojiten 61 nënshkrime të verifikuara, jo vetëm 40 për thirrje të seancës”, ka sqaruar ai.

Cakolli ka shtuar gjithashtu se Kuvendi, në këtë fazë, nuk mund të thirret as për të shqyrtuar projektligjin për buxhetin. “Detyra e parë dhe e patejkalueshme e Kuvendit pas zgjedhjeve është zgjedhja e Qeverisë, jo miratimi i ligjeve. Mbi të gjitha, vetëm një Qeveri e kësaj legjislature mund të propozojë projektligj për buxhetin”, ka përfunduar ai. /Kosova.info/


Go to TOP