Cakolli: Nuk jam ekonomist, por e di që buka më kushton më shumë dhe blej më pak
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar ndaj rritjes së vazhdueshme të çmimeve në vend, duke përdorur shembullin e thjeshtë të bukës për të ilustruar efektin konkret të inflacionit në jetën e përditshme të qytetarëve.
“Unë s’jom ekonomist, ama për shembull – e blej një bukë çdo ditë,” shkruan Cakolli, duke shtuar se vetëm pak vite më parë ajo kushtonte 35 cent, ndërsa sot 60. Kjo rritje, sipas tij, nuk është reflektim i ndonjë përmirësimi në cilësi apo ndryshimi të kushteve, por vetëm pasojë e shtrenjtimit të jetesës.
Ai llogarit se për bukë sot paguan 18 euro në muaj, krahasuar me 10.5 euro më herët. “Po, qarkullimi i furrës është rritë. Por jo pse po hamë më shumë, apo pse po prodhohet më shumë,” shprehet ai, duke nënvizuar se realisht qytetarëve u mbetet më pak për të shpenzuar në nevoja të tjera.
Cakolli thekson se, ndonëse rritja e çmimeve mund të interpretohet teknikisht si rritje e qarkullimit, në praktikë ajo reflekton vetëm rënie të fuqisë blerëse dhe përkeqësim të standardit jetësor. “Për me i ditë e kuptu këto, nuk të vyn me qenë ekonomist,” përfundon ai. /Kosova.info/
