Cakolli: Mandati i 15-të i LDK-së mbetet në avantazh, ndarja e mandateve pothuajse e mbyllur
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka bërë të ditur se në procesin e numërimit kanë mbetur pa u përfshirë maksimalisht rreth 5 mijë vota me postë, çka e bën hapësirën për ndryshime në ndarjen e mandateve tashmë shumë të kufizuar.
Sipas tij, rreth 1 mijë vota janë aktualisht në kuti që po numërohen, ndërsa afërsisht 3,500 vota pritet të procedohen gjatë ditës së nesërme. Me këtë volum votash dhe trendin aktual, Cakolli vlerëson se vetëm një mandat mbetet matematikisht në garë: mandati i 15-të i LDK-së përballë mandatit potencial të 58-të të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai thekson se mandatet e tjera janë praktikisht të mbyllura. Në kutitë e fundit të numëruara, LVV ka shënuar një rënie të lehtë prej rreth 0.6 pikë përqindje, ndërsa LDK ka pasur një rritje pothuajse të njëjtë. Si pasojë, aktualisht koeficienti i mandatit të 15-të të LDK-së është 8,378, ndërsa koeficienti i mandatit të 58-të të LVV-së është 8,329 duke i dhënë LDK-së një avantazh prej rreth 50 pikësh.
Cakolli sqaron se edhe nëse trendi aktual vazhdon – rreth 73% e votave për LVV-në dhe rreth 10% për LDK-në – LVV do të përfundonte me afërsisht 486 mijë vota, që i jep një koeficient prej rreth 8,386. Ndërkohë, LDK do të përfundonte me rreth 126 mijë vota, me një koeficient prej rreth 8,408 duke e mbajtur sërish mandatin në favor të saj, me një avantazh prej rreth 20 pikësh.
Sipas tij, që LVV ta fitojë mandatin e 58-të, do të duhej të siguronte gati 80% të votave të mbetura, ose që LDK të binte nën 9% – dy skenarë që, bazuar në trendin e deritanishëm, i konsideron pothuajse të pamundura.
Në përfundim, Cakolli vlerëson se me të dhënat aktuale, skenari më i mundshëm mbetet ndarja e mandateve 57-22-15-6, ashtu siç e kishte parashikuar që në fazat e hershme të procesit të numërimit, përveç në rast të një devijimi të madh dhe të papritur nga trendi aktual. /Kosova.info/
