Buzhala: Ky nuk është koalicion i LDK-së me LVV-në, por i avokatit të Faruk Mujkës – Xhaferi po e dëmton partinë

Gazetari dhe analisti, Berat Buzhala, ka reaguar pas lajmeve për koalicionin në Vushtrri mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje duke e quajtur atë një veprim personal dhe jo institucional të partisë.

“Ky nuk është koalicion i LDK-së me LVV-në në Vushtrri. Ky është koalicion i avokatit të Faruk Mujkës me LVV-në,” ka deklaruar Buzhala duke nënkuptuar se marrëveshja është bërë jashtë vullnetit dhe strukturës zyrtare të LDK-së.

Ai thekson se LDK do t’i fitonte lehtësisht zgjedhjet në Vushtrri me kandidatin Ferid Ferati duke shtuar se “Xhaferi është thjeshtë një simptomë e problemeve të brendshme në LDK, të cilat Lumiri po mundohet t’i mbajë nën tepih”.

Sipas Buzhalës, ky veprim i Xhaferit nuk e dëmton vetëm kundërshtarin politik, por e dëmton vetë LDK-në, madje edhe në Prishtinë.

“Xhafa me këtë koalicion më shumë e ka dëmtuar LDK-në sesa PDK-në duke dashur të dëmtojë LDK-në në Prishtinë,” ka shtuar ai.

Në fund, Buzhala kujtoi se edhe në garat e kaluara në Vushtrri, “Xhaferi e ka shantazhuar Partinë” duke nënvizuar se sjellje të tilla minojnë unitetin dhe përpjekjet e LDK-së për të rikthyer besimin qytetar. /Kosova.info/


Go to TOP