Buxheti për 2025 merr dritën jeshile të Komisionit për Administratë Publike
Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal po shqyrton Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025. Gjatë mbledhjes u ngritën shqetësime për buxhetin prej 8.9 milionësh të paraparë për Radio Televizionin e Kosovës.
Anëtarët e këtij komisioni nga radhët e opozitës thanë se buxheti i paraparë për RTK-në është i pamjaftueshëm.
“Ky projektligj duhet të ketë kohën e mjaftueshme që të përgatiten institucionet që t’i dërgojnë shkresat e nevojshme. Ne kemi parë edhe ndër vite që nuk ka pasur mbështetje as RTK, as Këshilli i Pavarur Civil, e as ministritë. Është shqetësuese se si i trajtojmë këto kërkesa. E dimë shumë mirë që është viti i tretë ose i katër që RTK-së i është larguar një buxhet mjaft i madh. RTK ish dashur të ketë mbështetje më të mirë”, tha Mërgim Lushtaku.
Lushtakut i replikoi kryetari i komisionit nga radhët e LVV-së, Valon Ramadani. “Është e vërtetë se pa u ndryshuar Ligji për KPM-në nuk ka pasur kuptim që Ligji për RTK-në të ndryshohet. Ka pasur disa tentime për ndryshimin e atij ligji. Opozita e ka shfrytëzuar mundësinë që Projektligjin për KPM-në ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese. Në momentin që vie vendimi i gjykatës, ligji për RTK-në do të vazhdojë në procedurat e plotësim-ndryshimit”, shtoi ai.
Ndërsa nga LDK ngritën kritika se buxheti po aprovohet në nguti. “Është dashur që buxheti të aprovohet në procedura normale e pa nguti”, tha deputeti i LDK-së, Agim Veliu.
Por, për ndarjet e parapara buxhetore për vitin 2025, patën lëvdata deputetë të LVV-së.
“Shqetësim do të duhej të kishte sikur të kishte vonesa. Po vie një buxhet që është rekord edhe nga shuma edhe nga koha e aprovimit. Ne i garantojmë qytetarët që ky buxhet është me shpërndarje më të drejtë dhe më të mirë”, tha deputeti i LVV-së, Besim Muzaqi.
Me 6 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Komisioni për Administrate ka kaluar Projektligjin mbi ndarjet buxhetore.