Burjani: VV po bie në kurth – Opozita ka shansin ta shtyjë konstituivin drejt Gjykatës Kushtetuese
Analisti politik Blerim Burjani ka komentuar zhvillimet e fundit në lidhje me dorëheqjet e deputetëve të Vetëvendosjes dhe mundësinë për konstituivin e Kuvendit të ri.
Sipas Burjanit, nëse dorëheqjet e deputetëve janë dorëzuar tashmë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), atëherë është kjo e fundit që i miraton ato duke hapur rrugën për konstituivin e Kuvendit.
Ai thekson se opozita mund të votojë raportin verifikues të mandateve, me kushtin që betimin si deputet ta bëjnë Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë të qeverisë në detyrë. Në këtë rast, Burjani paralajmëron se çështja do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese, ngjashëm me rastin e Qazim Qeskës që u përmend edhe nga kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.
“Nëse Kurti dhe ministrat bëjnë betimin si deputetë, lënda përfundon në Kushtetuese, e cila do ta konfirmojë konfliktin e interesave mes pushteteve – pra të një personi që njëkohësisht mban postin e kryeministrit në detyrë dhe atë të deputetit,” deklaroi Burjani.
Ai përmbyll duke thënë se Vetëvendosje po bie në një kurth institucional dhe politik, ndërsa opozita ka mundësinë ta përdorë këtë për të nxitur vendime kyçe në Gjykatën Kushtetuese. /Kosova.info/
