Burjani: Epoka e Kurtit po përfundon
Analisti politik, Blerim Burjani, ka vlerësuar se dështimi politik i Albin Kurtit ishte plotësisht i pritshëm duke theksuar se ndikimi i tij në shtet dhe politikën kombëtare po bie me ritme të shpejta.
Sipas Burjanit, besimi ndaj Kurtit është në rënie të vazhdueshme pasi ai nuk ka arritur të reformohet dhe ka bërë politikë kryesisht për interesa personale duke u sjellë si një “politikan i vetëm”. “Ai as nuk duket i interesuar për qeverisje me kabinetin dhe këshilltarët e tij. Suksesi nuk vjen nga një person i vetëm, por nga një ekip me përgjegjësi të përbashkët,” thekson Burjani.
Analisti paralajmëron se epoka e ndikimit të Kurtit pritet të mbyllet shumë shpejt, ndërsa përkrahja e Vetëvendosjes mund të bjerë nën 40% në zgjedhjet e ardhshme duke u kufizuar rreth 38%. “VV e ka humbur pushtetin lokal dhe realisht asnjëherë nuk e ka pasur plotësisht,” shton ai.
Burjani thekson se zgjedhjet janë tashmë të pashmangshme dhe kërkon që presidentja të nisë konsultimet me partitë politike brenda 10-ditëshit të dytë, për të caktuar mbajtjen e zgjedhjeve më së voni në janar të vitit 2026.
Në anën tjetër, sipas zhvillimeve politike, LDK po mendon për një qeveri të përkohshme, por një ide e tillë nuk po pranohet nga partitë e tjera kryesore, përfshirë VV-në, PDK-në dhe AAK-në.
Burjani thekson se Kurti është “me dyer të mbyllura” ndaj të gjitha partive, intelektualëve e akademikëve duke u kthyer në një figurë politike “kundër të gjithëve”.
“VV është një parti aksidentale që ka ardhur në pushtet në mënyrë të tillë dhe po shkon po ashtu siç ka ardhur,” përfundon Burjani. /Kosova.info/
