BSPK zgjidhet anëtare kandidate për zgjerim në EESC

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka njoftuar se është përzgjedhur zyrtarisht si anëtare kandidate për zgjerim (Enlargement Candidate Member – ECM) në kuadër të Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian (European Economic and Social Committee – EESC), një nga institucionet më të rëndësishme këshillëdhënëse të Bashkimit Evropian për dialogun social dhe shoqërinë civile.

Sipas BSPK-së, ky vendim i EESC-së përbën një njohje të drejtpërdrejtë institucionale evropiane për rolin, për seriozitetin dhe për përfaqësimin e BSPK-së si zë autentik i punëtorëve të Kosovës, si dhe një hap të rëndësisë së veçantë në integrimin gradual të Kosovës në mekanizmat evropianë të dialogut social dhe vendimmarrjes konsultative.

“Statusi Enlargement Candidate Member i mundëson BSPK-së pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në hartimin e opinioneve të EESC-së që lidhen me shoqërinë civile dhe me vendet potenciale kandidate, duke e vendosur sindikalizmin kosovar në tryezat ku artikulohen politikat evropiane për punën, për të drejtat sociale dhe për drejtësinë ekonomike. Në këtë proces, për çdo opinion të përzgjedhur do të angazhohen përfaqësues nga tri shtyllat e dialogut social evropian: punëdhënësit, sindikatat dhe organizatat joqeveritare”, thuhet në komunikatën e BSPK-së.

“Kjo arritje nuk është produkt rasti, po rezultat i një pune të vazhdueshme, i një vizioni të qartë dhe e një përkushtimi institucional, të udhëhequr me përgjegjësi të lartë nga Kryetari i BSPK-së, Prof. dr. Atdhe Hykolli. Nën drejtimin e tij, BSPK është konsoliduar si organizatë serioze, e besueshme dhe e orientuar qartësisht drejt vlerave evropiane, duke u shndërruar në zë të fuqishëm të të punësuarve dhe në gardian të pakompromis të të drejtave të punëtorit. Udhëheqja e Prof. dr. Hykollit e ka pozicionuar BSPK-në jo vetëm si aktor sindikal kombëtar, po edhe si subjekt politikisht të pjekur, profesionalisht kredibil dhe filozofikisht i qartë, që e kupton Evropën jo si slogan, po si standard të punës, të dinjitetit dhe të drejtësisë sociale. Përmes kësaj rruge, BSPK po kontribuon realisht që Kosova të mos jetë vetëm objekt i proceseve integruese, po të jetë subjekt aktiv në ndërtimin e dialogut social evropian. BSPK e konsideron këtë përzgjedhje si përgjegjësi shtesë për të thelluar angazhimin në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve, për të forcuar dialogun social dhe për ta përfaqësuar Kosovën me dinjitet, me dije dhe me integritet në institucionet e Bashkimit Evropian”, thotë BSPK-ja.

Gjithashtu BSPK-ja thotë se ky është një hap përpara për BSPK-në, për sindikalizmin kosovar dhe për vetë Kosovën, është dëshmi se puna e ndershme, këmbëngulja institucionale dhe orientimi i qartë evropian japin rezultat. “BSPK është zëri i punëtorit, në Kosovë dhe në Evropë”.


Go to TOP