Broshura me mesazhe kundër dhunës shpërndahen në Mitrovicën e Veriut

Mesazhe kundër dhunës janë shpërndanë sot nga Policia e Kosovës në Mitrovicë të Veriut. Nga Policia e Kosovës kanë theksuar se aktivitete të tilla janë të rëndësishme për sigurinë e qytetarëve.

Broshurat janë shpërndarë edhe në lagjen Kodra e Minatorëve dhe në pjesë të tjera të qytetit. “Bashkë mund të arrijmë t’i themi stop dhunës” dhe mesazhe të tjera të ngjashme, janë shpërndarë të mërkurën nga Policia e Kosovës në Mitrovicë të Veriut.

Me qëllim të sensibilizimit të qytetarëve dhe parandalimit të dhunës si dhe dukurive të tjera negative, Divizioni i Policisë në Bashkësi dhe Parandalim, në bashkëpunim me stacionin policor në veri, kanë zhvilluar këtë aktivitet në disa pjesë të qytetit.

Gjatë aktivitetit është vërejtur interesim i qytetarëve nga komunitetet e ndryshme që jetojnë në këtë komunë.

“E përshëndes këtë aktivitet, po më vjen mirë që po e shoh. Ky aktivitet duhet të përkrahet, unë e mora këtë broshurë. Jemi për bashkëpunim, për tolerancë, për mirëkuptim”, tha një qytetar.

Nga Policia e Kosovës kanë theksuar se aktivitete të tilla janë të rëndësishme për sigurinë e qytetarëve.

“Qytetarët afrohen dhe pyesin se çka janë këto broshura, çfarë mesazhe kanë. Broshurat janë të ndryshme për dukuritë negative që janë prezente, dhe se si qytetarët duhet ti adresojnë dhe t’i raportojnë ato dukuri duke filluar nga dhuna ne familje, delikuencën, përdorimin e narkotikëve. Kemi pasur edhe broshura për fëmijë për ngjyrosje me motive të Policisë që janë interesante për fëmijë, e pashë që shumë qytetarë i kanë marrë për nipat, për fëmijët e tyre”, tha major Ramadan Ahmeti.

Broshurat më pas u shpërndanë edhe në lagjen Kodra e Minatorëve dhe në pjesë të tjera të qytetit.

Go to TOP