Brighton me përmbysje mposht City-n e Guardiolës
Manchester City ka pësuar humbjen e dytë radhazi në Premier League, këtë herë në javën e tretë kundër Brighton-it, me rezultatin 2-1 në “Falmer Stadium”.
Skuadra e Pep Guardiolës e nisi mirë ndeshjen dhe në minutën e 34-t kaloi në avantazh me golin e Erling Haaland, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.
Megjithatë, në pjesën e dytë ritmi i “Qytetarëve” ra, duke i dhënë hapësirë vendasve që u shfaqën më të vendosur.
Në minutën e 67-të, James Milner shënoi nga penalltia për të barazuar shifrat, ndërsa në minutën e 89-të Brighton kompletoi përmbysjen me golin e Brajan Grudës pas një asisti të Mitomës.
Kjo ishte fitorja e parë e sezonit për Brighton-in, që ngjitet në kuotën e katër pikëve, ndërsa Manchester City mbetet në tre pikë pas tri javësh kampionat.
