Borrell: Mund të ketë më sanksione kundër Rusisë

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se sanksionet e mëtejshme kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës, mbeten opsion.

Borrell i bëri këto komente në Luksemburg, në prag të një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së.

“Sanksionet janë gjithmonë në tryezë”, u tha ai gazetarëve.

Borrell shtoi se ministrat, të cilët pritet të diskutojnë për krimet e dyshuara të luftës, të kryera nga Rusia në Ukrainë, bashkë me prokurorin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Karim Kahn, mund të debatojnë edhe për “hapat e mëtejshëm” kundër Moskës.

BE-ja ka vendosur tashmë disa runde sanksionesh kundër Rusisë.

Disa vende brenda bllokut 27-anëtarësh kanë bërë thirrje për embargo të plotë mbi naftën ruse.

Por, disa të tjera kanë hezituar, për shkak të, siç kanë thënë, ndikimit që do të kishte një masë e tillë në ekonomitë e tyre.

Në muajin mars, Shtetet e Bashkuara kanë marrë vendim për ndalimin e importit të naftës ruse.

Varësia e SHBA-së nga Rusia, megjithatë, është më e vogël.

Për krahasim, BE-ja merr rreth 40% të gazit dhe 30% të naftës së saj nga Rusia dhe nuk ka zëvendësues të lehtë të tyre, nëse furnizimet ndërpriten.

SHBA-ja, ndërkaq, ka siguruar rreth 8 për qind të importeve të naftës nga Rusia.

SHBA-ja nuk importon gaz natyror nga ky vend.

Go to TOP