Bllokohen pjesërisht rrugët në dy pika kufitare mes Serbisë dhe Kosovës

Ashtu siç ishte paralajmëruar, rruga në afërsi të pikëkalimit kufitar mes Serbisë dhe Kosovës, në Merdar dhe në Jarinjë, është bllokuar në pjesën serbe.

Sipas informacioneve jo zyrtare nga kalimtarë andej kufirit, në territorin e Serbisë, afër Merdarit janë mbledhur rreth 50 protestues serbë. Situata vazhdon të jetë e qetë.

Bëhet e ditur se protestuesit nuk po i lejojnë të kalojnë kufirin qytetaret me targa dhe dokumente të Republikës së Kosovës.

Edhe në Jarinjë lëvizjet e veturave dhe mauneve me mallra janë shumë të rralla. Jo zyrtarisht RTK ka mësuar se përtej kufirit janë mbledhur disa persona te cilët kanë bllokuar hyrjen në pikën kufitare në Jarinjë për personat me dokumente të Republikës së Kosovës.

Bllokimi i pikëkalimeve kufitare në anën serbe mes Serbisë dhe Kosovës u paralajmërua ditë më parë nga njerëz Serbi, si shenjë proteste ndaj zhvillimeve të kohëve të fundit në veri të Kosovës – pjesë e banuar me shumicë serbe.

Të mërkurën, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) u ka bërë thirrje shtetasve të Kosovës dhe mërgatës kosovare t’i shmangin pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë gjatë udhëtimeve të tyre transit.

Go to TOP