Bjellorusia ia dënon burrin me 18 vite burgim shefes së opozitës

Syarhei Tsikhanouski, bashkëshorti i udhëheqëses opozitare në Bjellorusi, është dënuar me 18 vite burgim për organizim të kryengritjes masive dhe nxitje të urrejtjes sociale, raportoi agjencia zyrtare bjelloruse e lajmeve, Belta.

Pesë përkrahës të Tsikhanouski-t u gjykuan bashkë me të dhe u dënuan me burgim në kohëzgjatje prej 14 deri 16 vjet, shkruan Reuters.

Tsikhanouski ishte burgosur në maj të vitit 2020 përderisa po përgatitej për të garuar kundër Presidentit Aleksander Lukashenko në zgjedhjet presidenciale të gushtit të vitit të kaluar. Ai i ka mohuar të gjitha akuzat.

Bashkëshortja e tij, Sviatlana Tsikhanouskaya, mori pjesë në zgjedhje në vend të tij. Vendi u përfshi nga disa muaj me protesta masive, pasi Lukashenko pretendoi se i ka fituar zgjedhjet, por opozita e akuzoi për mashtrim.

Zonja Tsikhanouskaya ka ikur në Lituani për t’i shpëtuar shtypjes së pamëshirshme të zërave kundërshtarë nga pushteti. Ajo tashmë është bërë figurë e njohur dhe ka takuar disa udhëheqës perëndimorë.

Go to TOP