Bislimi: LDK duhet të rikthehet duke dhënë pushtet të plotë anëtarësisë dhe garë të brendshme demokratike

Faton Bislimi, ish-kandidat për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka theksuar nevojën për rikuperim të partisë me vizion dhe rikthim te vlerat themelore dhe idealet kombëtare. Ai shprehet se çdo ndërhyrje e shpejtë apo kozmetike në kreun e LDK-së mund të trajtojë vetëm simptomat e dobësimit, por jo shkakun thelbësor të shembjes elektorale të partisë.

Bislimi propozon një qasje të hapur dhe gjithëpërfshirëse: “me UNITET NË DALLIME”, ku LDK duhet të organizojë një garë të brendshme demokratike dhe të bëhet shembull i demokracisë partiake në Kosovë. Sipas tij, anëtarët dhe aktivistët e LDK-së janë hisedarët kryesorë të partisë dhe vendimet madhore duhet të jenë në duart e tyre, jo vetëm të titullarëve.

Në programin e tij, të prezantuar në Kuvendin e fundit të LDK-së në Nëntor 2023, Bislimi propozon sistemin e “primaries” në stil amerikan, ku anëtarët e regjistruar të partisë zgjedhin drejtpërdrejt kryetarin e partisë, si dhe kryetarët e degëve dhe nëndegëve. Ky mekanizëm synon të fuqizojë llogaridhënien dhe vendimmarrjen e anëtarëve.

Ai thekson se mësimi nga shancet e humbura është pjekuri politike dhe se LDK ka sot mundësinë të implementojë këto parime për t’u rikthyer si parti e fortë dhe demokratike. /Kosova.info/


Go to TOP