Bislimi e Blitt flasin për raportet bilaterale dhe zgjerimin e tyre

Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim ambasadoren jorezidente të Kanadasë për Kosovë, Jessica Blitt me të cilen kanë diskutuar rreth raporteve bilaterale dhe potencialit për zgjerimin dhe thellimin e tyre edhe më tej.

Përmes një njoftimi për media, thuhet se Bislimi ka falënderuar ambasadoren për mbështetjen e pareshtur të Kanadasë për Kosovën, duke veçuar përkrahjen ndaj proceseve të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

“Palët biseduan rreth raporteve bilaterale dhe potencialit për zgjerimin dhe thellimin e tyre edhe më tej. U theksuan bashkëpunimi mes kuvendeve dhe deputetëve të dy shteteve, ngritja e marrëveshjeve apo memorandumeve të mirëkuptimit për fuqizim të ndërveprimit në fusha me interes të përbashkët dhe forcimin e lidhjeve në sferat ekonomike”, thuhet në njoftim.

Tutje vazhdon njoftimi se zëvendëskryeministri e informoi ambasadoren edhe mbi zhvillimet aktuale në vend dhe procesin e dialogut.

Duke shprehur mirënjohjen për kontributin dhe mbështetjen e Kanadasë ndaj Kosovës, zëvendëskryeministri e falënderoi ambasadoren për bisedën dhe shkëmbimin e ditës së sotme.

Go to TOP