Binaku-Isufi në konferencën `Për mbrojtjen e konkurrencës` në Shqipëri
Në Shqipëri po mbahet konferenca ndërkombëtare me temë “20-vjetori i ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Pavarësia dhe roli i autoritetit në reformën rregullatore, zbatimi i ligjit, advokacia dhe sfidat drejt Integrimit në Bashkimin Evropian”.
Pjesë e kësaj konference është Kryetarja e Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës Neime Binaku-Isufi.
Në kuadër të promovimit të kulturës së konkurrencës dhe 20 vjetorit të rrugëtimit të Shqipërisë në mbrojtje të konkurrencës së lirë dhe efektive në treg, kjo konferencë mblodhi së bashku ekspertë të autoriteteve homologe nga rajoni dhe Evropa; përfaqësues nga pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor; organet rregullatore, përfaqësues nga dhomat e tregtisë, si dhe pjesëmarrës nga bota akademike dhe e biznesit.
Kryetarja Binaku-Isufi ishte pjesë e njërit nga tre panelet me tema si pavarësia e institucionit dhe roli i tij në reformën rregullatore, sfidat drejt integrimit në Bashkimin Evropian, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe zbatimi i ligjit të konkurrencës: antitrust dhe përqendrime.
Konferenca e organizuar nga Autoriteti i Konkurrencës do të vazhdojë punimet me ditën e dytë me 24 nëntor me panele, diskutime dhe të ftuar dhe ekspertë të tjerë të autoriteteve homologe nga rajoni dhe Evropa. /Kosova.info/
