Biden: Nuk kam plan që të bisedoj me Putinin
Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, gjatë një adresimi nga Shtëpia e Bardhë, bëri të ditur më 24 shkurt se ka autorizuar sanksione të reja ndaj Rusisë.
Sipas Biden, sanksionet përfshijnë banka ruse të cilat do të hiqen nga sistemi financiar amerikan.
“Kjo nënkupton që çdo aset që ato kanë në ShBA, do të ngrihen”, tha ai.
Biden po ashtu tha se sanksionet e reja përfshijnë edhe eksportet, oligarkët dhe sektorin e teknologjisë.
Biden tha se homologu i tij rus, Vladimir Putin zgjodhi luftën në vend të diplomacisë dhe shtoi se nuk ka plane që të bisedojë me të.
Ky rund sanksionesh amerikane vjen dy ditë pasi ShBA-ja vendosi sanksionet e para ndaj Rusisë.
Më 24 shkurt, Rusia nisi një aksion ushtarak ndaj Ukrainës. Agresioni rus u dënua nga shtete në mbarë botën, ndërkaq, Bashkimi Evropian po ashtu ka paralajmëruar se do të vendosë sanksione të ashpra ndaj Moskës.
