Biçkaj përmbyll mandatin 6-vjeçar në LDK Kamenicë: Një rrugëtim sfidues, por krenar – LDK po rikthehet

Kryetari i degës së LDK-së në Kamenicë, Jeton Biçkaj, ka reflektuar mbi mandatin e tij gjashtëvjeçar në një mesazh publik drejtuar anëtarësisë dhe qytetarëve. Ai e ka përshkruar këtë periudhë si një rrugëtim të vështirë, por të mbushur me krenari dhe qëndrueshmëri politike.

“Sot po përmbyllim një kapitull gjashtëvjeçar që nuk ishte i lehtë – as për LDK-në në nivel vendi, e as për degën tonë,” deklaroi Biçkaj.

Gjatë fjalës së tij, Biçkaj ka theksuar sfidat që LDK ka kaluar në një periudhë të mbushur me, siç e cilësoi ai, “populizëm të paparë ndonjëherë në Republikën tonë”. Megjithatë, sipas tij, koha po e nxjerr në pah boshllëkun e këtij populizmi, ndërsa LDK po rikthehet si forca politike e përgjegjësisë dhe qytetarisë.

Në prag të zgjedhjeve lokale, Biçkaj u shpreh i bindur se platforma e LDK-së është alternativa e vetme për të ecur përpara me vizion dhe përkushtim.

“Platforma jonë bëhet edhe më e fuqishme kur jemi bashkë – rugovistë e djathtistë, të rinj e të reja, profesionistë e punëtorë,” theksoi ai duke shtuar se LDK-ja nuk është në shërbim të pushtetit, por në shërbim të shtetit dhe qytetarit.

Jeton Biçkaj përmbylli deklaratën e tij me një thirrje për bashkim dhe mobilizim të brendshëm duke besuar se procesi që ka nisur do ta fuqizojë më tej partinë në Kamenicë dhe më gjerë.

“Jemi bashkë për LDK-në dhe për shtetin, jo për interesa të pushtetit,” përfundoi ai. /Kosova.info/


Go to TOP