Besnik Tahiri e ‘zbulon’ porosinë ndaj ambasadorëve për anëtarësimin e Kosovës në KE
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk duhet të ndërlidhet me procese të tjera politike.
Kështu ka thënë Tahiri në takimin e mbajtur sot me ambasadorë të akredituar në Kosovë.
“Anëtarësimi në Keshillin e Evropës të mos ndërlidhet me procese tjera politike! Në takimin e mbajtur sot me Ambasadorë të akredituar në Republikën e Kosovës, vendet e të cilëve janë anëtarë të Këshillit të Evropës, fillimisht i falënderova për mbështetjen e tyre në rrugëtimin e Kosovës për anëtarësim, duke theksuar se Kosova, kushtetuta e saj, dhe ligjet më të rëndësishme i kanë përfillë dhe mishëruar vlerat që i përfaqëson ky institucion në legjislacionin përkatës. Po ashtu, theksova nevojën që qytetarët e Kosovës të kanë qasje në instrumentet që ky institucion i ka, në veçanti në Gjykatën për të drejtat e njeriut”, ka thënë Tahiri.
Ai ka shtuar se Kosova përgjatë këtyre viteve ka dëshmuar që të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit e ka në agjendën e vet primare dhe anëtarësimi i Kosovës është imperativ i kohës.


