Besnik Krasniqi kritikon ashpër Kushtetuesen: Në vend që ta sqarojë krizën, e thelloi më tej
Gazetari Besnik Krasniqi ka reaguar me tone të ashpra ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese për krizën rreth konstituivit të Kuvendit të ri duke e cilësuar këtë institucion si një kontribuues të drejtpërdrejtë në thellimin e bllokadës politike.
Sipas Krasniqit, dështimet për ta konstituuar legjislaturën e re nuk duhen më adresuar vetëm te partitë politike, por mbi të gjitha te Gjykata Kushtetuese dhe gjyqtarët e saj, të cilët, siç thotë ai, “nuk patën guximin të thonë troç nëse është apo jo kushtetues votimi i fshehtë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit”.
“Në 47 faqe aktgjykim, gjyqtarët kanë llomotitë e moralizu. Kanë përmend referenca koti. Kanë bërë kallabëllëk fjalë e fjali, pa pikë relevance për problemin në Kuvend”, shkroi ai.
Krasniqi theksoi se në vend që të jepnin një përgjigje të prerë për çështjen më kyçe që ndan kampet politike – votimin e fshehtë apo të hapur për kryeparlamentarin – Kushtetuesja ka zgjedhur të shmangë përgjegjësinë.
“Aty dikur kanë citu aktgjykime që thonë se deputetët mund të votojnë si të dëshirojnë – në mënyrë të hapur ose të fshehtë. Diku tjetër kanë konstatu se kjo çështje nuk është e përcaktuar as në Kushtetutë e as në Rregullore. Pastaj flasin për ‘praktika të deritanishme’. Por në fund, nuk japin asnjë përgjigje të qartë për pyetjen: A është kushtetues votimi i fshehtë, apo jo?”, thekson ai.
Krasniqi përfundon reagimin e tij me një kritikë të drejtpërdrejtë ndaj rolit të gjykatës: “Çka na vyejnë gjyqtarë e gjykata që, në vend se të heqin mjegull, shtojnë edhe më shumë?” /Kosova.info/
