Bërnica e Prishtinës do të bëhet me ujë

Halit Islami nga Bërnica e Prishtinës nuk ka ujësjellës, andaj duhet që të paktën 2 herë në muaj të mbushë dhjetëra shishe kilometra më larg.

Kjo pasi që uji nga puseta që ka hapur pranë shtëpisë nuk është i pijshëm.

E banori tjetër, Ali Bajoku tregon se edhe më problem e kanë kur ka reduktime të rrymës, pasi nuk mund ta përdorin as atë të bunarit.

“Edhe atë po duhet me kursy se nuk po kem, se po është në pyetje pastrimi, mandej teshat e tualeti e të tjerat”, tha Bajoku.

Banorët që janë pa ujësjellës qe 22 vite e kërkuan atë vazhdimisht e para 7 muajsh mbajtën edhe një protestë e i nisën peticion komunës.

Zgjidhje të shpejtë për ta kishin premtuar nga qeverisja lokale pasi kishin hartuar një projekt për vendosjen e pompave që e mundësojnë shtypjen e ujit deri te shtëpitë.

Megjithatë nënshkrimi i kontratës u vonua deri para dy javësh e edhe zgjidhja për bërnicasit.

“Ne e kemi dorëzuar kontratën dhe specifikat teknike tek Kompania Rajonale e Ujësjellësi, ata tash e shohin se cili lloj i pompave duhet, sepse kemi disa lloje”, tregoi Habib Qorri, Shef Sektori në Drejtorinë për Shërbime Publike në Komunën e Prishtinës.

Sipas tij në momentin që do të ketë përgjigje nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit vazhdohet me procedurën e blerjes dhe vendosjes. Nga KRU-ja thanë se kjo pjesë parashihet të përfundojë për rreth 2 javë nga tash.

“Përveç vendosjes së pompës në Bërnicë, KRU” Prishtina” sh.a. e realizon edhe një investim aty, vendosjen e një gypi rreth 300 metra gjatësi. Pasi të vjen pompa aty, ajo vendoset për 3 ditë. Por ndërlidhet paksa edhe me kushtet atmosferike”, tha Arjeta Mjeku, Zëdhënëse në KRU “Prishtina”.

Vendimi hyn në kuadër të një projekti 3 vjeçar që kap vlerën e 210.000 eurove e sipas të cilit bëhet zgjidhje edhe për pjesë të tjera të kryeqytetit me probleme të ngjashme.

Go to TOP