Berisha: Sulmet ndaj Policisë janë planifikuar kohë më herët, institucionet e sigurisë të qëndrojnë vigjilentë

Kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha ka reaguar sot pas sulmeve që i janë bërë Policisë së Kosovës. 

Berisha në një postim në Facebook shkruan se invazioni rus në Ukrainë është plan i hershëm i përgatitur nga shërbimet e këtij shteti, ndërsa theksoi se edhe sulmet e tilla si këto ndaj Policisë së Kosovës janë të planifikuara kohë më herët.

Ai kërkoi nga institucionet e sigurisë të qëndrojnë vigjilente dhe të vendosura që të zbatojnë ligjin në tërë territorin e Kosovës, sulmeve terroriste t’u përgjigjen me vendosmëri, me dyfishin e forcës.

Lexoni të plotë postimin e tij:

Invazioni rus në Ukrainë është plan i hershëm i përgatitur nga shërbimet e këtij shteti. Pasi që Rusia ka ngecur dhe është ndalur nga rezistenca e pashoq e Ukrainasve, synimet e saj janë destabilizimi i Ballkanit Perëndimor.

Sulmet e tilla si këto ndaj Policisë së Kosovës janë të planifikuara kohë më herët. Institucionet e sigurisë duhet të qëndrojnë vigjilente dhe të vendosura që të zbatojnë ligjin në tërë territorin e Kosovës, sulmeve terroriste t’u përgjigjen me vendosmëri, me dyfishin e forcës.

Kujtojmë se këto sulme vijnë pas furnizimit me armë ofanzive nga Kina nga shteti serb, duke realizuar pikë për pike planet e Putinit, si  dhe pas deklaratave nxitëse të Vuçiqit.

Qytetarët e Kosovës nuk duhet të panikohen, por e kemi obligim që ta mbushim Fondin për Siguri. Përtej vendit tonë nuk kemi ku të shkojmë.

Në këtë situatë jemi gjithë bashkë, gjithmonë të gatshëm në mbrojtje të Atdheut.


Go to TOP