Berisha refuzon debatin e Adriatik Kelmendit: Nuk luftoj njërin duke kursyer tjetrin, dua përballë të dy!
Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për kryetar të Komunës së Prishtinës, Bekë Berisha, ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në debatin e organizuar nga gazetari Adriatik Kelmendi në Klan Kosova.
Përmes një reagimi publik, Berisha ka sqaruar se vendimi i tij nuk është personal, por politik dhe parimor. Ai theksoi se nuk pranon të përballet me vetëm një nga kandidatët kryesorë, sepse, sipas tij, “nuk lufton njërin duke kursyer tjetrin”.
“Me gjithë respektin për drejtuesin e emisionit, Adriatikun, dhe për televizionin e respektuar Klan Kosova, më duhet ta refuzoj pjesëmarrjen në debatin e planifikuar. Unë jam futur në garë për t’u bërë kryetar i Komunës dhe me kënaqësi do të përballesha me Përparimin dhe Hajrullahun, të cilët i shoh barabartë të dëmshëm për qytetin e Prishtinës,” ka deklaruar Berisha.
Ai shtoi se Prishtina gjatë katër viteve të fundit është kthyer në “arenë lufte” mes Qeverisë së Hajrullahut dhe Komunës së Përparimit duke mbetur qyteti dhe hallet e qytetarëve në mëshirën e kohës.
“Prandaj, as unë nuk mund t’i ndaj nga barra e përgjegjësisë. Kërkoj falje shikuesve që kanë pritur këtë debat, por vendimi im buron nga bindja se përballja duhet të jetë e drejtë dhe e plotë. Dua t’i kem përballë të dy, ashtu siç i shoh: njësoj përgjegjës për gjendjen e Prishtinës,” përfundoi Berisha. /Kosova.info/
