Beqiri nga MD: Shtyrja e afateve të zbatimit të aktiviteteve u bë shkaku i fillimit të zbatimit të Strategjisë me vonesë

Lulzim Beqiri, përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, tha se afatet e zbatimit të aktiviteteve të Strategjisë për Sundimin e Ligjit, janë shtyrë për shkak se vetë Strategjia filloi të zbatohet me vonesë.

Ai tha se Strategjia është miratuar në verën e vitit 2021 dhe se sipas tij, nuk qëndrojnë keq me zbatimin e aktiviteteve.

“Strategjia edhe pse është miratuar në gusht të vitit 2021 në Qeverinë e Republikës së Kosovës, me planin e saj të veprimit siç thatë edhe ju, deri në vitin 2023 sepse Strategjia është deri në vitin 2026, ka qenë sepse aktivitetet gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2021 gati se fare nuk janë zhvilluar për shkak se takimi i parë i Këshillit Drejtues i cili përbëhet nga ministrat respektiv dhe kryesuesit e Këshillave sidomos, është mbajtur në janar të vitit 2022 dhe aktivitetet kanë filluar të zbatohen nga ajo kohë”, tha Beqiri.

Sipas raportit gjashtëmujor që është përgatitur në korrik të vitit të kaluar, Beqiri tha se në atë kohë kanë qenë të zbatuara pak më shumë se 20% të aktiviteteve.

“Sot mund të them se qëndrojmë shumë më mirë, për shkak se në takimin e fundit të Këshillit Drejtues, i cili është mbajtur në prill të këtij viti, neve kemi identifikuar se 43% të të gjitha aktiviteteve nga 439 aktivitete, janë zbatuar plotësisht, ndërsa në zbatim e sipër janë diku 45% të aktiviteteve dhe kemi identifikuar 12% të aktiviteteve që nuk kanë filluar fare të zbatohen”, shtoi Beqiri. /BetimipërDrejtësi

Go to TOP