Behrami akuzon Qeverinë Kurti për politizim të MPJD-së dhe dështim në diplomaci
Deputeti i PDK-së dhe ish-punonjës i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës (MPJD), Artan Behrami, ka akuzuar Qeverinë Kurti për politizim të shërbimit diplomatik dhe dështim në hapjen e misioneve të reja diplomatike.
Sipas tij, që nga viti 2020 mbi 40 diplomatë të shërbimit diplomatik janë shkarkuar ose detyruar të japin dorëheqje, mes tyre personalitete të shquara e doktorë shkencash që kanë kontribuar në njohjen e Kosovës. Behrami theksoi se në vend të tyre, Vetëvendosje dhe Guxo kanë punësuar mbi 80 militantë vetëm në MPJD, kanë transferuar diplomatë nga komuna dhe kanë mbajtur konkurse të shpallura ilegalisht nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës.
Ai gjithashtu akuzoi kryeministrin Albin Kurti se ka përvetësuar punën e paraardhësve, duke theksuar se nga 53 misione diplomatike të Kosovës, vetëm një është hapur gjatë pesë viteve të fundit, ndërsa pjesa tjetër është hapur nga viti 2008 deri në 2019.
Behrami shtoi se një numër i madh shefash misioni kanë mandate të skaduara por ende nuk janë kthyer në MPJD, duke e cilësuar këtë si mungesë rotacioni, dështim të udhëheqjes dhe diskriminim ndaj diplomatëve të karrierës. /Kosova.info/
