Bedri Hamza është pritur sot në Shtëpinë e Bardhë
Gazeta Express merr vesh nga burimet se Kryetari i Mitrovicës dhe njëherësh kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, sapo ka përfunduar takimin në Shtëpinë e Bardhë në Uashington DC.
Sipas burimeve, Hamza ka pasur takim të nivelit të lartë brenda Shtëpisë së Bardhë me Asistentin Special të Presidentit Biden, njëherësh edhe Drejtorin Senior për Europë të Keshillit Kombëtar të Sigurisë të Presidentit Biden, Ambasadorin Michael Carpenter.
Hamza është nga politikanët e rrallë kosovarë që pritet në Shtëpinë e Bardhë tash e një kohë të gjatë.
Asistenti Special i Presidentit Biden shërben edhe si një nga udhëheqësit e NSC, apo Këshillit Kombëtar për Siguri, që është institucioni suprem amerikan për çështjet e sigurisë nacionale. Ambasadori Carpenter ka shërbyer më parë si shef i misionit të ShBA-ve në OSBE.
Gazeta Express deri në botimin e këtij lajmi nuk ka arritur të kontaktojë me Hamzën për të mësuar përmbajtjen e bisedave në Shtëpinë e Bardhë.