BE jep detaje për takimin e 2 majit mes Kosovës e Serbisë në Bruksel

Zyra për media e Bashkimit Evropian ka bërë të ditur se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre për takim më 2 maj në Bruksel.

Sipas njoftimit, Kurti dhe Vuçiq do të zhvillojnë një takim të përbashkët me shefin e Politikës së Jashtme dhe asaj të Sigurisë në BE, Josep Borrell dhe emisarin e BE-së, Mirsolav Lajçak, duke filluar nga ora 18:00.

Theksohet se palët pritet të miratojnë deklaratën për personat e zhdukur, si pikë të parë të rendit të ditës, si dhe të ketë një diskutim për draft-statutin e parë të Asociacionit.

“Përfaqësuesi i Lartë, mbështetur nga Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak, do të zhvillojë një takim të përbashkët me liderët duke filluar nga ora 18:00. Takimi do të fokusohet në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Palët pritet të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës, e cila do të pasohet nga prezantimi/një diskutim mbi draft-statutin e parë të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë Serbe në Kosovë. Palët do të kenë gjithashtu mundësinë të diskutojnë çështje aktuale me rëndësi politike”, bëhet e ditur në njoftim.

Po ashtu, Borrell do të mbajë një konferencë për media pas takimit.

Go to TOP