BDI: VLEN dështoi në mbrojtjen e gjuhës shqipe e përfaqësimin e shqiptarëve
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar përmes një komunikate publike ndaj zhvillimeve të fundit politike dhe debatit rreth përdorimit të gjuhës shqipe, duke drejtuar akuza të ashpra ndaj subjektit politik VLEN.
Në reagimin, BDI thekson se VLEN “nuk përfaqëson shqiptarët”, por sipas tyre, “arsyetimet e atyre që synojnë të nënshtrojnë gjuhën shqipe”.
Sipas kësaj partie, pas protestave të studentëve të drejtësisë dhe kritikave nga opinioni publik, VLEN po përpiqet të devijojë vëmendjen duke fajësuar të kaluarën.
BDI sqaron se në ligjin për të cilin po diskutohet, “nuk ekziston asnjë dispozitë që kufizon apo rregullon përdorimin e gjuhës shqipe apo maqedonase”, duke i cilësuar pretendimet e kundërshtarëve si të pavërteta.
Më tej, në reagim përmendet Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, konkretisht neni 23, paragrafi 5, për të cilin thuhet se garanton zbatimin e dispozitave në rast të mos-harmonizimit të ligjeve të tjera. Sipas BDI-së, kjo përbën bazë të mjaftueshme juridike për mbrojtjen e të drejtave gjuhësore.
BDI akuzon VLEN-in për mungesë të “dinjitetit politik”, duke shtuar se në vend të mbrojtjes së studentëve shqiptarë dhe zbatimit të ligjit, ata po ofrojnë justifikime dhe po mbështesin institucione që, sipas BDI-së, cenojnë të drejtat e shqiptarëve.
Në përfundim, BDI vlerëson se situata aktuale përbën një “test politik” për përfaqësimin dhe qëndrimin ndaj gjuhës shqipe, duke deklaruar se VLEN ka dështuar në këtë drejtim. /Kosova.info/
