BBC: Arma e re e frikshme që po ndryshon luftën në Ukrainë

“Një erë e rëndë dhe acartë mbulon qytetin e Rodynskes, vetëm një ditë pas një sulmi me bombë lundruese prej 250 kg që shkatërroi ndërtesën kryesore administrative dhe tre blloqe banimi.” Kështu nis reportazhi i BBC për situatën në këtë qytet pranë frontit në Ukrainë, dhe për përdorimin e dronëve me fibra optike.

Rodynske ndodhet rreth 15 km në veri të qytetit të rrethuar Pokrovsk, ku forcat ruse prej vjeshtës së kaluar përpiqen ta marrin nën kontroll, por ukrainasit po rezistojnë.

Në dy javët e fundit, pas dështimit të përpjekjeve diplomatike për armëpushim, Rusia ka intensifikuar sulmet duke përdorur një armë të re që po ndryshon rrjedhën e luftës: dronët me fibra optike.

Këta dronë lidhen me pilotët përmes një kablli optik që nuk mund të ndërpritet nga interferenca elektronike, duke i bërë ata shumë të vështirë për t’u neutralizuar. Ata përdoren për spiunim të detajuar, madje edhe për të hyrë në ndërtesa dhe gjetur objektivat në brendësi.

Për ushtarët ukrainas kjo është një kërcënim i ri dhe serioz që e ka bërë shumë më të rrezikshme lëvizjen dhe mbrojtjen në front. Për më tepër, me përdorimin e këtyre dronëve, Rusia ka avantazh teknik për momentin, ndërsa Ukraina po përpiqet të rrisë prodhimin e tyre.

Në një moment të reportazhit, ushtarët tregojnë se tani duhet të kalojnë më shumë kohë në pozicione, pasi lëvizja nën mbikëqyrjen e këtyre dronëve mund të jetë fatale.

Ky teknologji e re po ndryshon gjithashtu taktikën e betejës, duke e bërë vijën e frontit më të paqëndrueshme dhe duke i dhënë luftës një dimension krejtësisht të ri, shkruan BBC.


Go to TOP