Bashkimi Demokratik viziton grevistët e KRM “Pastrimi” në Drenas: Kërkohet zgjidhje urgjente për menaxhimin e mbeturinave
Problemi i menaxhimit të mbeturinave në komunën e Drenasit po shndërrohet në një sfidë të vazhdueshme për qytetarët dhe institucionet lokale. Kompania rajonale “Pastrimi”, e cila ka monopolin e grumbullimit të mbeturinave në këtë komunë, është përballur kohëve të fundit me grevë të punëtorëve të Njësisë në Drenas, të cilët kanë ngritur shqetësime për kushtet e vështira të punës, mungesën e mekanizmave dhe keqmenaxhimin.
Për të dëgjuar nga afër shqetësimet e tyre, Bashkimi Demokratik në Drenas ka njoftuar se nesër do të realizojë një vizitë tek grevistët. Sipas kësaj partie, qëllimi është të kuptohen më mirë kërkesat dhe sfidat me të cilat përballen punëtorët në përditshmëri.
Në një komunikatë për media, Bashkimi Demokratik thekson se qytetarët kanë të drejtë të marrin shërbime cilësore, sidomos kur pagesat ndaj kompanisë “Pastrimi” arrijnë mbi 90% të faturimeve. “Ky raport duhet të jetë i ndërsjellë – pagesa për shërbim cilësor, çka aktualisht nuk po ndodh”, thuhet në komunikatë.
Gjithashtu, Bashkimi Demokratik ka kërkuar që Komuna e Drenasit, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, të shtojë numrin e inspektorëve për kontroll më të mirë të ndotjes dhe menaxhimit të mbetjeve. Për më tepër, është kërkuar edhe shqyrtimi i mundësisë për krijimin e një Njësie të Policisë Mjedisore brenda Policisë së Kosovës, si një mekanizëm për forcimin e zbatimit të ligjeve mjedisore.
“Greva është një mjet i ligjshëm proteste dhe zëri i punëtorëve duhet dëgjuar. Vetëm përmes bashkëpunimit dhe komunikimit mund të tejkalohen sfidat dhe të përmirësohet gjendja mjedisore në Drenas”, përfundon komunikata e Bashkimit Demokratik. /Kosova.info/
