Basha takon Prattipatin, e quan ShBA-n “aleate të çmuar”
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka zhvilluar sot një takim me të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, znj. Anu Prattipati. Takimi u mbajt në ambientet e Kuvendit dhe u fokusua në zhvillimet më të fundit politike në vend, proceset parlamentare dhe dinamikat zgjedhore.
Basha shprehu keqardhjen për mosvotimin e disa prej çështjeve të rëndësishme në Kuvend, përfshirë marrëveshjet ndërkombëtare, buxhetet e komunave, ligjin e buxhetit si dhe raportin e RTK-së, i cili do të mundësonte zgjidhjen e çështjes së pagave për punëtorët e mediumit publik. Ai theksoi se këto vonesa ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin institucional dhe në mirëqenien e qytetarëve.
Një pjesë e rëndësishme e bisedës iu kushtua procesit zgjedhor në vend. Basha theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të rregullta duke rikujtuar se Kosova ka dëshmuar vazhdimisht standarde të larta demokratike. Ai nënvizoi nevojën për respekt të ndërsjellë mes subjekteve politike gjatë fushatës dhe procesit zgjedhor.
Kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohjen e tij të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat ai i vlerësoi si aleat të çmuar dhe model demokratik për Kosovën. Takimi u mbyll me urimet e ndërsjella për Ditën e Falënderimeve, një festë e rëndësishme për qytetarët amerikanë dhe simbol i mirënjohjes dhe bashkësisë.
Takimi u vlerësua si një dëshmi e bashkëpunimit të qëndrueshëm dhe të hapur ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe partnerit strategjik amerikan. /Kosova.ino/
