Bajrami: Votuesit tanë kokën lart – LDK do të rikthehet me punë, besim dhe ekip
Deputetja dhe zyrtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve duke uruar fituesin e tyre, por njëkohësisht duke ngritur kritika të ashpra ndaj mënyrës së qeverisjes gjatë pesë viteve të fundit.
Bajrami ka theksuar se fitorja e zgjedhjeve, sipas saj, ka ardhur pavarësisht mungesës së sukseseve konkrete në qeverisje. Ajo ka renditur një sërë problemesh që, siç ka thënë, kanë karakterizuar mandatin qeverisës, përfshirë njerëz nën aktakuza, korrupsion të lartë, masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian, degradim të raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kapje dhe nepotizëm në institucione, shkelje të përsëritura të Kushtetutës, inflacion dyshifror dhe atë që e ka quajtur “mafi energjetike”.
“Po, votuesit tanë kokën lart. Ne të tjerët gishtin në kokë. Kjo është koha për të dhënë përgjegjësi dhe për të marrë përgjegjësi”, ka deklaruar Bajrami.
Ajo u është drejtuar drejtpërdrejt votuesve dhe strukturave të LDK-së duke kërkuar falje për dëshpërimin dhe duke shprehur mirënjohje për besimin dhe përkushtimin e tyre. Sipas saj, janë pikërisht votuesit dhe aktivistët ata që e mbajnë LDK-në “gjallë e të fortë”.
Bajrami ka theksuar se gjatë gjithë angazhimit të saj politik, ambicia e vetme ka qenë shërbimi ndaj qytetarëve, rritja e LDK-së dhe mbrojtja e interesit të shtetit të Kosovës.
Në përmbyllje, ajo ka shprehur bindjen se LDK do të rikthehet në krye përmes punës, besimit dhe një ekipi të fuqishëm. “Së bashku nuk do të ndalemi. LDK duhet dhe do të rikthehet e para”, ka përfunduar Bajrami. /Kosova.info/
