Bajrami sfidon Qeverinë Kurti për Programin e Energjetikës: Asnjë meritë nuk keni, flisni për skandalet energjetike!
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër pas prezantimit të programit master për Energjetikë duke akuzuar Qeverinë Kurti dhe Ministrinë e Arsimit për përvetësim të meritave që, sipas saj, i takojnë ekskluzivisht stafit akademik të Universitetit të Prishtinës.
“Lej more punët e të tjerëve, se as ti as Nagavci asnjë meritë aty nuk e keni. Këtë e them me përgjegjësi të plotë, sepse jam pjesë e stafit akademik të UP-së që nga viti 2004”, shkroi Bajrami në një postim publik. Ajo sqaroi se programet e reja hartohen dhe mbrohen nga vetë stafi para ekspertëve të akreditimit, pa ndërhyrje apo kontribut nga qeveria apo MASHT-i.
Përtej çështjes akademike, Bajrami kaloi në akuza serioze ndaj kryeministrit Kurti për skandalet në sektorin energjetik. Ajo përmendi çmime të fryra të transportit të energjisë dhe favorizime të dyshimta për kompani të caktuara.
“Sipas të dhënave të Buletinit Ekonomik, shërbimi i transportit është blerë për 1.11 euro për MWh dhe na është shitur për 798.32 euro. Njëra nga përfituese ishte ETF, që sipas teje është e Vuk Hamoviqit. Tjetra është NOA, e cila hyri në treg në qeverisjen tënde dhe sot është kompania e 8-të për nga qarkullimi në Kosovë – me vetëm dy punëtorë”, deklaroi Bajrami.
Ajo kërkoi që kryeministri Kurti të japë përgjigje për skandalet që, sipas saj, po rëndojnë qytetarët.
“Të varfër apo të vjedhur? Deklarohu, Albin!”, përfundoi ajo. /Kosova.info/
